Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar rikthimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si një moment që dëshmon përmbysjen e një padrejtësie që iu bë katër vite më parë.
Në fjalën e mbajtur para shqiptarëve në SHBA, Berisha tha se vendimi nuk kishte ardhur nga vetë Shtetet e Bashkuara, por nga ajo që ai e cilësoi si “axhenda antiliri dhe antikomb”.
Ai falënderoi shqiptarët në SHBA për mbështetjen e dhënë ndaj tij dhe shprehu mirënjohje për administratën e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Berisha: Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forcë e të keqes që të gjithë e njohim në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë.Në një kohë kur unë isha, 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve.
I qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë.Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë.
Ndaj dhe unë sot, kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë të vërtetë që më mbështetët në orët më të para por dhe ndër më të vështirat. Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij.






