Tuesday, September 8, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Sot Kuvendi çel sesionin e ri, protestuesit paralajmërojnë protestë

Sot Kuvendi çel sesionin e ri, protestuesit paralajmërojnë protestë

0
9

Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të martë në seancë plenare, pas pushimit veror, duke çelur zyrtarisht sesionin e ri parlamentar.

Në orën 17:00, deputetët do të mblidhen në sallë për mbledhjen e parë të sesionit të vjeshtës.

Edhe pse Kushtetuta parashikon që sesioni i vjeshtës të nisë të hënën e parë të shtatorit, këtë vit rikthimi i deputetëve është shtyrë me një ditë për shkak të pushimit zyrtar.

Një prej zhvillimeve që pritet të shoqërojë nisjen e punimeve të Kuvendit lidhet me procedurën për ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.

Sipas raportimeve, dekreti i Presidentit pritet të jetë gati në nisje të punimeve të Kuvendit. Pas procedurave përkatëse, Spahiu mund të bëjë betimin para deputetëve.

Ndërkohë, socialistët pritet të propozojnë një emër të ri për postin e nënkryetarit të Kuvendit, detyrë që më herët mbahej nga Klodiana Spahiu.

Berisha mungon, Rama ende në pikëpyetje

Në seancën e parë të sesionit të ri nuk pritet të jetë i pranishëm kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Konventën e Republikanëve.

Në të njëjtën kohë, mbetet e paqartë nëse Edi Rama do të jetë i pranishëm në sallën e Kuvendit gjatë çeljes së sesionit.

Protesta jashtë Kuvendit

Rikthimi i deputetëve në parlament pritet të shoqërohet edhe me protesta jashtë godinës së Kuvendit.

Qytetarët që prej afro 100 ditësh protestojnë në shesh kanë paralajmëruar se do të rikthehen përpara Kuvendit në ditën e parë të sesionit parlamentar.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit pritet të marrë masa të shtuara sigurie, duke krijuar një perimetër të posaçëm për lëvizjen e deputetëve dhe garantimin e rendit gjatë protestës.

Reforma territoriale

Përtej seancës së hapjes, një prej çështjeve që pritet të dominojë debatin politik gjatë sesionit të ri është reforma territoriale.

Gjatë muajit gusht, socialistët hodhën idenë për ndryshimin e hartës së bashkive, duke propozuar reduktimin e numrit të tyre nga 61 në 46.

Propozimi ka hapur një tjetër front debati mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa puna për reformën vijon ende pa një rezultat konkret.

Në sfond janë edhe zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027, të cilat pritet të ndikojnë gjithnjë e më shumë në agjendën politike të Kuvendit.

Zjarr Tv Ad