Një bombul gazi ka shpërthyer në një pikë karburanti në zonën e Brrylit, në Tiranë, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.
Sipas Policisë, si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar tre punonjës të karburantit. Ata janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj tha në një deklaratë për mediat se zjarri në pikën e karburantit ka ndodhur për shkak të shpërthimit në zyrën e kësaj pike karburanti.
Goxhaj theksoi se hetimet lidhur me shkaqet e shpërthimit vijojnë pasi ka informacione se mund te ketë qenë një automjet që ka goditur zyrat e karburantit, ndërsa shtoi se brenda ditë së sotme do të zbardhet edhe shkaku i shpërthimit.
“Zjarrfikësit mbërritën shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe ndaluan rrjedhjen e gazit që vijonte, situata u vu nën kontroll shpejt, Ka qenë shpërthim jo zjarr, ndaj flakët u vunë nën kontroll brenda një kohe të shkurtër. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit, zyrat janë rrëzuar, edhe xhamat që janë përhapur në rrugë na bëjnë të mendojmë se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit. Shpërthimi ka ndodhur nga gazi, ndoshta edhe avujt e benzinës, pasi ky është një shpërthim jo zjarr. Mund të ketë qenë edhe automjet që ka goditur zyrat e karburantit, brenda ditës së sotme do kemi edhe shkakun e shpërthimit”, tha Goxhaj.






