Vëllai i ish-futbollistit Igli Tare, Genti Tare, ka ndërhyrë përmes një lidhjeje telefonike në emisionin “Top Story”, ku po diskutohej rreth dosjes së Belinda Ballukut dhe përfshirjes së vëllait të tij në të.
Gjatë ndërhyrjes së tij, Genti Tare është përplasur me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke e akuzuar se përdorimi i “gjysmë të vërtetave” mund të dëmtojë njerëzit për të cilët flitet.
Për të ilustruar argumentin e tij, Tare i solli Shehajt disa pretendime që, sipas tij, mund të përdoren në të njëjtën mënyrë edhe ndaj kreut të Partisë Mundësia.
“Ja të të përdor unë ty një gjysmë të vërtete, të shoh si do të të djegë. Ke qenë ortak me Ilir Belerin te kompleksi i vilave në Petrelë. Je akuzuar nga opozita se i ke dhënë një vilë Erion Veliajt”, tha Genti Tare.
Më tej, ai shtoi se me të njëjtën logjikë mund të ngriheshin pretendime edhe për marrëdhëniet profesionale të Shehajt.
“Është njësoj si të marr një gjysmë të vërtetë dhe të them që Agron Shehaj është i korruptuar, ka pasur edhe bashkëshorten e Endri Fugës në punë, i ka dhënë dhe vilë Erion Veliajt”, u shpreh ai.
Genti Tare argumentoi se një qasje e tillë, sipas tij, po përdoret edhe ndaj vëllait të tij, Igli Tares, duke paralajmëruar se dëmi ndaj figurës së një personi mund të mbetet edhe në rast se më pas ai rezulton i pafajshëm.
“Igli Tares po i hidhet baltë dhe kur të dalë i pafajshëm, nuk ka më vlerë”, përfundoi Genti Tare.






