Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve ka vendosur çmimet e reja tavan për shitjen me shumicë dhe pakicë të karburanteve në Shqipëri.
Vendimi vjen pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve nga Këshilli i Ministrave dhe u mor në mbledhjen e parë të Bordit, të zhvilluar këtë të shtunë, 19 shtator.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin do të jetë 219 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë çmimi nuk duhet të kalojë 207 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është përcaktuar në 195 lekë për litër, ndërsa me shumicë në 183 lekë për litër.
Njoftimi i Bordit:
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e parë.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 19 Shtator 2026, vendosi:
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 219 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 195 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 183 lekë/litër.
-Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 19 ora 16.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.






