Komisioni Evropian ka nisur hetim ndaj kompanisë Meta, pas pezullimit masiv të llogarive në rrjetet sociale që publikonin materiale për protestat antiqeveritare në Shqipëri.
Lajmi bëhet i ditur nga revista amerikane WIRED, e cila raporton se më shumë se 30 eurodeputetë i kanë kërkuar Komisionit Evropian të verifikojë nëse veprimet e Metës janë në përputhje me Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA).
Eurodeputetja Alexandra Geese i ka cilësuar pezullimet si një akt të ngjashëm me censurën.
“Çfarë ndodhi në Shqipëri është e barasvlershme me censurën”, deklaroi Geese, një prej firmëtareve të letrës drejtuar Komisionit Evropian.
Ajo kritikoi edhe qasjen e drejtuesit të Metës, Mark Zuckerberg, ndaj lirisë së shprehjes.
“Koncepti i Mark Zuckerberg për ‘lirinë e fjalës’ duket se përfshin vetëm opinionet që përputhen me agjendën politike të administratës Trump. Pikërisht për këtë arsye ne kemi rregulla evropiane”, u shpreh ajo.
Qindra llogari të prekura
Pezullimet lidhen me llogari që raportonin ose dokumentonin protestat e “Revolucionit të Flamingove” në Tiranë. Protestat nisën pas kundërshtimeve ndaj zhvillimit të një resorti luksoz të lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Protestuesit kërkojnë ndryshimin e ligjit që lejon ndërtime në zona të mbrojtura, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas organizatës jofitimprurëse Repro Uncensored, e cila po heton rastet e pezullimeve, janë verifikuar rreth 100 raste të lidhura me protestat. Organizata vlerëson se numri real i llogarive të prekura mund të arrijë në disa qindra.
“Ne vazhdojmë të marrim raportime të tjera dhe, bazuar në vëllimin dhe modelet që po shohim, vlerësojmë se numri real mund të jetë disa qindra”, deklaroi themeluesja e organizatës, Martha Dimitratou, për WIRED.
Në të paktën 70 raste, Repro Uncensored ka konfirmuar fshirjen e postimeve dhe videove që lidhen me protestat, kufizimin e llogarive dhe humbjen e disa funksioneve të bashkëpunimit.
Sipas organizatës, në shumë raste ankesat për shkelje të të drejtave të autorit janë bërë disa herë ndaj së njëjtës llogari, shpesh pesë deri në dhjetë ankesa brenda një kohe të shkurtër. Më pas, llogaritë janë përballur me masa përshkallëzuese, deri në çaktivizimin e tyre të plotë.
Rasti i Arjan Koçit
Një prej rasteve të dokumentuara është ai i Arjan Koçit, një shtetas britaniko-shqiptar që prej muajit qershor publikonte pamje nga protestat në Instagram.
Më 20 gusht, Koçi nisi të merrte një numër të madh emailesh nga Meta, ku pretendohej se kishte përdorur materiale të dikujt tjetër.
“Dikush pretendonte se kisha marrë punën e tij dhe e kisha publikuar si timen. Por ishte videoja ime, zëri im dhe fotografia ime”, tha ai për WIRED.
Pamjet e filmuara nga droni prej tij tregonin përmasat e protestave në Tiranë dhe kishin marrë miliona shikime në platforma të ndryshme.
Koçi tha se të paktën 20 llogari të tjera u mbyllën në të njëjtën kohë. Pesë prej ankesave ndaj përmbajtjeve të tij, sipas tij, vinin nga i njëjti burim dhe nga e njëjta adresë emaili.
Kur kontaktoi personin që kishte bërë ankesat, Koçi pretendon se ai i tha se ishte paguar me 1,800 dollarë për të raportuar llogaritë dhe se do t’i tërhiqte ankesat nëse paguhej.
Personi dyshohet se i kishte sugjeruar gjithashtu që ta çaktivizonte llogarinë për një javë në mënyrë që ta mbante të sigurt.
WIRED nuk arriti të merrte përgjigje nga personi i akuzuar për këto veprime.
Meta pranon gabimin
Një zëdhënës i Metës i tha WIRED se llogaritë ishin hequr gabimisht dhe se ato ishin rikthyer.
“Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar. Ne kemi një proces apelimi për personat që mendojnë se kemi bërë një gabim dhe mund të rikthejmë përmbajtjen nëse përcaktojmë se ajo nuk shkel rregullat”, deklaroi kompania.
Meta nuk komentoi mbi hetimin për aktivitet të mundshëm të koordinuar.
Eksperti i Freedom House, Kian Vesteinsson, tha se përdorimi masiv i ankesave për copyright mund të shndërrohet në një mënyrë për të abuzuar me sistemet e raportimit të platformave.
Sipas tij, kjo taktikë është përdorur edhe në konflikte dhe në raste kur synohet heshtja e personave që kritikojnë qeveritë.
Rama mohon përfshirjen
Disa protestues kanë akuzuar qeverinë shqiptare se qëndron pas sulmeve ndaj llogarive në rrjetet sociale.
Kryeministri Edi Rama i ka mohuar këto akuza.
“Nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me ndonjë llogari në rrjetet sociale që është çaktivizuar apo kufizuar dhe nuk zotërojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të tillë. Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzi të tilla”, shkroi Rama në platformën X.
Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesës së WIRED për koment.
Ndërkohë, edhe pse llogaria e Koçit është rikthyer, ai thotë se beson se ende po përballet me “shadow ban”, pra me kufizim të padukshëm të shtrirjes së përmbajtjeve të tij.
Komisioneri i BE-së, Thomas Regnier, konfirmoi se Komisioni Evropian po heton tashmë Metën për shqetësimet që lidhen me kufizimin e zërave politikë në rrjetet sociale.
Ai tha se akuzat e reja nuk përbëjnë “aspak një surprizë” dhe theksoi se Akti Evropian për Shërbimet Digjitale u jep përdoruesve mundësinë të kundërshtojnë vendimet e pajustifikuara për moderimin e përmbajtjeve.






