Ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka urdhëruar shkrirjen e strukturave të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjeve të njëpasnjëshme kriminale që kanë tronditur qytetin bregdetar 14 muajt e fundit, veçanërisht pas Korrikut 2025.
Gjatë një takimi sot me drejtuesit e Policisë së Shtetit në 12 qarqet e vendit, ministri Demo ka kërkuar që i gjithë zinxhiri komandues në Sarandë të shkrihet dhe atë të vendoset një Task-Forcë e përkohshme, e cila do të hetojë sagën e ngjarjeve kriminale.
Ministri Ervin Demo është treguar i prerë dhe ka kërkuar kontroll të plotë të territorit nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, dhe në kushtet kur në Sarandë situata është jashtë kontrollit për shkak të përplasjes së grupeve kriminale, në ndihmë të Policisë do të jetë dhe Task-Forca.
Ajo do të përbëhet nga 10 persona dhe do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve kriminale që kanë përgjakur qytetin bregdetar dhe po vazhdojnë të shkaktojnë viktima, siç ishte rasti i djeshëm i Artan Myrtaj, i cili u ekzekutua në zemër të qytetit.
Sherri që po merr jetë në Sarandë
Origjina e kësaj sage hakmarrje dyshohet se është ngjarja e ndodhur pasditen e 17 Korrikut 2025 në qytetin e Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza. Ata kishin zënë një sipërfaqe toke që pretendohet se u përket personave të tjerë.
Vëllezërit Ramadan Canaj alias Ramadan Zoto dhe Erjon Canaj kanë shkuar të sqaroheshin me dy të rinjtë nga Kamza, sepse pretendonin pronësinë e tokës që ishte marrë nga Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, për të ndërtuar beach bar.
Situata përshkallëzoi në përleshje fizike dhe më pas Ramadan Zoto qëlloi me armë zjarri duke plagosur Ernest Lamën dhe Gëzim Hajdaraj.
Të plagosurit u dërguan në spital, kurse dy vëllezërit u arratisën dhe Ramadan Zoto u prangos pas disa muajsh në Korçë. Vëllai i tij, Erjoni vazhdon ende të jetë në arrati. Ata u ndihmuan gjatë arratisjes nga shtetasit Klaus Jaçaj dhe Artan Myrtaj.
I riu Klaus Jaçaj u arrestua dhe pak muaj pas ngjarjes, i shpërthyen makinën me tritol. Autorët nuk u mjaftuan me kaq. Përmes një shpërthimi të telekomanduar, ata hodhën në erë edhe makinën e babait të Klausit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Isuf Jaçaj.
Saga e hakmarrjes vazhdon dhe më tej. Personi i dytë që ndihmoi vëllezërit Canaj t’i shpëtonin Policisë pas plagosjes së dy të rinjve nga Kamza, Artan Myrtaj, sapo ishte liruar nga qelia për përkrahje të autorëve të krimit, kur dje u ekzekutua në zemër të qytetit.
RENEA zbarkon në shtëpinë e Ervis Lamit
Ervis Lami dyshohet se është kreu i një grupi të fuqishëm kriminal në zonën e Kamzës, i cili ka fituar terren në zonën e Sarandës dhe është përfshirë në konflikt me disa grupe të tjera kriminale, për shkak të përplasjeve për kontrollin e territorit.
Dy të rinjtë që u plagosën një vit më parë në Sarandë janë të afërm dhe shokë të tij, ndaj sot Forcat Speciale RENEA kanë zbarkuar në shtëpinë e tij, por nuk kanë mundur ta gjejnë aty. Gjithashtu, nga kontrolli nuk janë gjetur as sende të paligjshme.
Ervis Lami është i skeduar nga autoritetet ligjzbatuese për disa ngjarje të rëndë kriminale, duke përfshirë vrasje, gjobëvënie, mbajtje të armëve luftarake, etj, ndërsa dyshimet e grupit hetimor janë dhe grupi i tij qëndron pas sagës kriminale të hakmarrjes që ka nisur në Sarandë.






