Eurodeputetët, të ndodhur në Shqipëri në kuadër të takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, kanë “zbarkuar” këtë të martë në Zvërnec, ku do të ndërtohet projekti që nxiti protestat masive kundër qeverisë, të cilat nisën në fund të muajit maj.
Bëhet fjalë për 5 eurodeputetë, të cilët shoqërohen nga 14 ligjvënës shqiptarë, 7 nga maxhoranca dhe 7 nga opozita. Fredi Beleri tha për mediat se janë duke parë nga afër situatën në Zvërnec, ndërsa theksoi se nuk është kundër zhvillimit, por duhet të mbrohet mjedisi dhe biodiversiteti.
Mes tyre edhe eurodeputeti grek Fredi Beleri, i cili ka mbërritur i pari në Zvërnec, ku është shprehur se vizita synon të shohë nga afër situatën në zonë, me fokus te biodiversiteti dhe mbrojtja e mjedisit.
Beleri tha se është pro zhvillimit, por theksoi se investimet duhet të realizohen duke respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit të së drejtës.
“Zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe biodiversiteti dhe natyra të respektohen. Janë 5 eurodeputetë që kanë ardhur. Nga Shqipëria janë 14 deputetë”, tha Beleri.
I pyetur nëse është pro investimit në Zvërnec, eurodeputeti u përgjigj:
“Unë jam pro çdo investimi kur bëhet me ligje dhe norma të shtetit të së drejtës”.
Sa i përket mundësisë së një dëgjese publike me banorët e zonës, Beleri tha se, sipas informacionit që ka, një takim i tillë nuk pritet të zhvillohet.
Deputetët e tjerë pritet t’i bashkohen vizitës në vijim.
Deputetët shqiptarë dhe eurodeputetët janë pritur në Manastirin e Zvërnecit nga prifti i Kishës së Shën Mërisë, Atë Jan Tereziu.
Ai i ka shoqëruar në ambientet e kishës, duke u treguar për historinë dhe vjetërsinë e këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë
Gjatë vizitës, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka pyetur Atë Jan Tereziun edhe për investimet që parashikohen të ndërtohen në zonën e Zvërnecit.
Prifti është shprehur se ky është një vend i Zotit dhe se në këto ambiente nuk mund të bëhet politikë.
Në përfundim të vizitës, deputetët dhe eurodeputetët janë ndalur për të konsumuar një kafe në ambientet e Manastirit të Zvërnecit.
Parlamenti Europian pret që Shqipëria të ndryshojë ligjin për zonat e mbrojtura deri në fund të këtij viti në kuadër të zbatimit të rezolutës së këtij parlamenti dhe kërkesave që lidhen me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lima shprehu dje besimin se këto amendime do të jenë në axhendën e Kuvendit së shpejti si detyrim për përmbushjen e kërkesave të shtruara në një rezolutë të PE dhe standardeve të legjislacionit europian.






