Thursday, October 1, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Konferenca e Kryetarëve/ PD kërkon debat për skandalin e SHISH, PS kundër

Konferenca e Kryetarëve/ PD kërkon debat për skandalin e SHISH, PS kundër

0
9

Opozita e mazhoranca nuk arritën një dakordësi për mocioni me debat në Kuvend të kërkuar nga Partia Demokratike lidhur me skandalin që ka prekur Shërbimin Informativ Shtetëror, konkretisht ish-drejtuesen Vlora Hyseni. Tashmë kërkesa do të votohet në seancën e radhës parlamentare.

PD kërkoi zhvillimin e debatit për shqyrtimin e përgjegjësive institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Taulant Balla, në emër të grupit parlamentar të PS, e ka refuzuar me argumentin se çështja është në duart e SPAK, dhe se llogaria që Vlora Hyseni ka për t’i dhënë drejtësisë, nuk ka lidhje me shtetin apo qeverinë.

Përgjigja e Taulant Ballës

Lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Falë kësaj shumice qeverisëse, me kurajo e me vendosmëri i është hapur rruga drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lemë sistemin të bëjë punën e vet. Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë ditën e parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Shkarkimi i menjëhershëm dje nga detyra i drejtores së shërbimit ishte pikërisht shembulli i kësaj qasje nga ana jonë. Ndërkohë që të gjitha institucionet që ngarkon ligji:

Kryeministri → varësia institucionale

Komisioni i Kuvendit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes → mbikëqyrja parlamentare

Presidenti → raportim + kompetenca mbi drejtimin

Inspektori i Përgjithshëm → inspektim i veprimtarisë

KLSH/Auditimi → kontroll financiar

Prokuroria/Gjykata → kontroll ligjor/judicial në fushat përkatëse

Kjo është një çështje që unë i duhet lënë prokurorisë dhe gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë.

Zjarr Tv Ad