Friday, October 2, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, një mburojë e re për zyrtarët...

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, një mburojë e re për zyrtarët e lartë?

0
7

Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë.

Projektligji përjashton nga masat e arrestit veprat penale ku maksimumi i dënimit është deri në pesë vjet, vendos filtra të rinj në kryerjen e hetimeve dhe kërkimin e provave nga prokurorët si dhe forcon regjimin e sekretit hetimor, deri në atë pikë sa ndalon bërjen publike të faktit se një person është nën hetim.

Kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale” dhe tha se 10 vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.

Në të kundërt, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin këtë si projekt që synon të mbrojë zyrtarët e lartë nga drejtësia përmes cënimit të themeleve të reformës në drejtësi.

“Shqetësimi kryesor i Ramës muajt e fundit apo në muajt e ardhshëm është raporti i tij me pushtetin dhe post-pushtetin dhe kjo do të thotë që ai nuk e ka projekt reformën në drejtësi, as nevojën e forcimit të shtetit të së drejtës dhe as llogaridhënien e transparencën publike,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

“Përpjekja e fundit është për të krijuar mekanizma mbrojtës në një rast hetimi ndaj tij dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe sidomos në periudhën kur ai s’do jetë kryeministër,” shtoi Krasniqi.

Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale propozohen në një kohë kur qeveria e kryeministrit Edi Rama është tronditur nga skandale të reja korrupsioni, të cilat përfshijnë ish.zv.kreyeministren Belinda Balluku, ish-kryetaren e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni dhe drejtues të tjerë të lartë.

Këto përvoja, sipas Krasniqit, kanë ndikuar që kryeministri Rama të mendojë për mekanizma shtesë në raport me drejtësinë, ndërkohë që publikisht e konsideron atë të suksesshme.

Rrezikun që dispozitat e reja të ndikojnë në punën e institucioneve të drejtësisë e ngre edhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ndonëse në parim ai vlerëson orientimin e paketës drejt kufizimit të paraburgimit dhe forcimit të alternativave ndaj tij.

Ai thotë se efektiviteti i reformës së re do të varet nga mënyra se si do të zbatohen dispozitat e reja dhe nga konsistenca e gjykatave në vendimmarrje, ndërsa sugjeron që qeveria të sanksionojë në këtë paketë që dënimet të llogariten për çdo episod të përsëritur të një vepre penale, duke argumentuar se trajtimi i disa shkeljeve si një rast i vetëm mund të krijojë probleme në luftën kundër korrupsionit.

Në të kundërt, paralajmëron Preçi,  “amendimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk do të jenë gjë tjetër veçse një mekanizëm makiavelist politik për të frenuar SPAK-un, duke mbajtur të shtrënguara radhët e funksionarëve të qeverisë dhe politikanëve të mazhorancës së drejtuar nga z.Rama, që de facto janë kandidatë për t’u hetuar në vijim nga SPAK-u.”

Për Migen Qiraxhi nga “Qendresa Qytetare”, janë skandalet e fundit ato që e kanë nxitur qeverinë të bëjë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime që sipas tij kanë si target punën e SPAK.

“Ka një paradoks: sa më shumë SPAK ka rezultate dhe godet nivele të larta të politikës, aq më shumë shohim iniciativa politike që prekin aktivitetin e SPAK”, tha Qiraxhi, duke shtuar se ndryshimet vijnë pikërisht atëherë kur ky institucion ka fituar një nivel të konsiderueshëm legjitimiteti publik.

Ndryshime që rrezikojnë reformën në drejtësi

Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016 pas ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, kishte si qëllim forcimin e pavarësisë së institucioneve kryesisht atyre të posaçme kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar dhe një riorganizim të bazuar mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorisë.

Një dekadë më pas, ekspertët e shoqërisë civile i vlerësojnë ndryshimet e reja të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale si rrezik për këtë reformë, pavarësisht se ato paraqiten si korrigjime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos në çështjet e masave të paraburgimit.

Problematika kryesore, sipas tyre, është mungesa e një konsultimi real me aktorët e drejtësisë dhe me institucionet ndërkombëtare që mbështetën këtë reformë 10 vite më parë.

Krasniqi e quan këtë nismë “një lëvizje politike personale” dhe deri diku si “një nga ligjet e porositura në axhendën ligjore të qeverisë”.

Ai e konsideron absurd faktin që nismat që prekin thelbin e drejtësisë vijnë vetëm nga mazhoranca socialiste, duke shpërfillur opozitën parlamentare dhe institucionet e drejtësisë, gjë që sipas tij tregon se “koncepti i partisë-shtet vijon të jetë dominues dhe personalizimi i pushtetit logjikë dominuese”.

Sipas tij këto tentativa bien në kontrast dhe me procesin e integrimit ku i vetmi evolucion pozitiv në kapitullin e drejtësisë dhe luftës anti-korrupsion konsiderohet puna që bën SPAK dhe GJKKO.

Migen Qiraxhi nuk e konsideron suprizë këtë nismë të qeverisë, por e lidh atë me tentativa të vazhdueshme për të prekur kompetencat apo hapësirën e veprimit të SPAK me nisma që paraqiten si reforma kundër korrupsionit.

“Nese kjo sot është një nisme e qeverisë, ekziston rreziku që gradualisht të formalizohet një interes i përbashkët i pjesëve të politikës së vjetër, majtas dhe djathtas, për të rimarrë kontroll ose për të ngushtuar hapësirën e një drejtësie që për herë të parë po godet realisht në nivelet e larta,” thotë ai, duke këmbëngulur se ky është konflikti themelor.

Në këtë kontekst, Qiraxhi beson se debati duhet të fokusohet tek legjitimiteti I SPAK dhe jo tek përmbajtja teknike e propozimeve.

Ndërkohë, Zef Preçi vlerëson se pavarësisht rrezikut që paketa mbart ndaj pavarësisë së drejtësisë, në planin parimor ajo duket se adreson disa nga problemet më të kritikuara të sistemit penal shqiptar lidhur me masat e paraburgimit.

Por ai thotë se sërish mbeten pikëpyetje të forta, kryesisht për mungesën e tekstit të plotë publik në momentin e prezantimit dhe me zbatimin e tij në praktikë nga gjyatatat./ Reporter.al

Zjarr Tv Ad