Monday, October 19, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Protestat e dhunshme, kryeministri Rama: Të miturit po përdoren si ‘mish për...

Protestat e dhunshme, kryeministri Rama: Të miturit po përdoren si ‘mish për top’

0
9

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Ervin Demo kanë mbajtur konferencë për mediat sot më 19 tetor, pas protestës së dhunshme gjatë mbrëmjes së djeshme.

Kryeministri Rama erdhi sërish me një gur në konferencë, duke deklaruar se dhuna nuk ka vend në demokracinë shqiptare.

“Ky është një gur. Me këtë gur, që është një dhunë e pastër, nuk negociohet. Me atë që vë përpara këtë gur, nuk negociohet. Në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij guri bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se njëherë dhe pasojat e këtij janë plagë që duhen vite të tëra të shërohen. Ne nuk jemi kundër dhunës. Djemtë dhe vajzat që i bashkohen gurit janë të rinj e të reja të ekstremizuar. Janë pjesë e Antifës, që Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Janë pengje të një ideologjie të re, që ka vetëm një mision: Shkatërro. Janë të rinj që dinë të dalin vetëm në TikTok”, tha Rama.

Mbrojti efektivët, duke u shprehur se policët janë nën sulmin edhe të disa mediave.

“Protesta po ndodhin në Francë dhe në Europë, por në asnjë nga këto vende nuk ka dalë që të mbajë anën e dhunuesve, nuk ka dalë dikush të himnizojë dhunën dhe hurin e një mase kapuçonësh të zi, të maskuar, pas së cilëve nuk ka studentë. Pas kapuçave ka qenie të zeza, viktima të shumëçkaje, që adhurojnë gurin, adhurojnë molotovin, adhurojnë llastiqet me saçme që godasin kokat e policëve e më pas iu turren dyqaneve.

Kjo masë ka nevojë për psikolog. Pas protestave ka armiq të Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që ia do të mirën vendit tonë. Nuk është rastësi që del Rusia e përshëndet kombin shqiptar, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i përgjigjen Europës”, deklaroi Rama.

Kryeministri nënvizoi se protestuesit nuk janë studentë, por dhunues. Shtoi se qëndresa e efektivëve është dinjitoze.

“Ata që shkatërrojnë çdo gjë nuk janë studentë, nuk kanë si të jenë studentë. Studentët nuk djegin banka. Si mund të bëhet më mirë duke kthyer përmbys çdo gjë? Çfarë do kthehet përmbys? Vullneti i popullit do kthehet përmbys? E gjitha kjo e bën qëndresën tuaj më dinjitoze përballë presionit. Më keq është presioni i atyre që quhen analistë e opinionistë, që inatet e mllefet e zilitë i ushqejnë me sa policë sakatohen? Qëndresa e efektivëve është dinjitoze. Dërgojnë në protestë adoleshentët, që larg qoftë të ketë ndonjë viktimë dhe të thotë se ky është një tjetër 21 Janar, duke na barazuar, me ata që nuk kemi barazim.

Rezistenca juaj i bën nder Republikës. Pashë dje një police, që kishte një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami e me kufje në vesh, që i kthehej vajzës me uniformë me fjalor rrugaçëror, prej burrash të dehur. Ja simbolet e protestës. Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti. Dua të shpreh solidaritet me të gjithë efektivët dhe familjet e tyre”, u shpreh kreu i qeverisë.

Më tej, foli edhe për gjendjen e policëve. Kryeministri nënvizoi se paga e policëve do të rritet nga 1 janari 2027. Shtoi se do të jepet shpërblim 2500 euro për çdo efektiv që është në këtë front. Rama theksoi se shteti shqiptar në fund do të fitojë. Një thirrje kishte për familjet e të miturve, duke thënë se do të kenë pasoja.

“E kemi rritur pagën e punonjësve të policisë, por do vazhdojmë rritjen akoma më tepër. Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo polic që është në këtë front.  Nuk diskutohet që shteti shqiptar do të fitojë. Nuk do të fitojnë forca të errëta, që nuk e duan Shqipërinë që të kryesojë rajonin në shumëçka, e duan Shqipërinë që mos të vijë askush këtu. U them të gjitha familjeve të të miturve, do të paguani.

Nuk mund të përdoren të miturit në akte dhune. U them atyre që lënë shkollën, se do të kenë pasoja administrative. Nuk do shpëtojnë lehtë. Këta djem e vajza kujtojnë se u bë deti kos. Është e turpshme, që bëhet propagandë kundër policisë”, deklaroi Rama.

Një kritikë e kishte edhe për gjykatën, që liron protestuesit. Kreu i qeverisë theksoi se policia është në krye të detyrës, për të mbrojtur institucionet.

“Gjykata liron protestues të dhunshëm, që duan të vrasin policët. Duan prova në gjykatë, se do bëjmë fotografi neve me prova për të dokumentuar dhunën, kur aty rrezikohet jeta. Policia dhe në Europë nuk të lejon që të kalosh vijën e kuqe. Mua më kanë thënë ose në burg ose në litar. Në katër muaj nuk ka asnjë kërkesë racionale për diçka që lidhet me arsim, shëndetësi apo strehim. Nuk e kam dëgjuar derën të trokasë dhe të thonë shqetësimet. Të vijnë të rinjtë dhe të thonë se duhet të ikësh mor zotëri.

Të thonë dhe dua të ikësh ti sepse një arsye, dy arsye, tre, katër, pesë. Të thonë se ka mbaruar ora e demokracisë dhe votës dhe ka ardhur koha e gurit, se ti do hapësh rrugën, se unë të rrënoj. Ju them prindërve, që ndodh në shtëpinë tuaj, që fëmija merr gurin dhe të thotë më jep rrogat e gjithë vitit ose të vrava. A ndodh kjo? Ne kemi edhe programe të reja për strehim social e të përballueshëm”, tha kryeministri.

Në fund, kreu i qeverisë akuzoi se protestat kanë për qëllim pengimin e rrugës evropiane të Shqipërisë.

Zjarr Tv Ad