Saturday, October 24, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet “Gjyq publik” për protestuesit, prezumim pafajësie për pushtetin

“Gjyq publik” për protestuesit, prezumim pafajësie për pushtetin

0
11

Prej pesë ditësh, ndër videot e para që shqiptarëve u shfaqen në rrjetet sociale janë ato të kryeministrit Edi Rama, i cili fton të rinjtë protestues për dialog. Çdo mëngjes, karriget që kujdeset t’i vendosë vetë presin të rinjtë që protestojnë në rrugët e Tiranës, ndërsa ftesat për t’u ulur në tryezë shoqërohen me mesazhe mirëkuptimi dhe gatishmërie për të dëgjuar kërkesat e tyre.

Por vetëm dy orë pas publikimit të një prej këtyre videove, kryeministri zgjodhi një gjuhë krejt tjetër për protestuesit që më parë i kishte ftuar në bisedime.

Të premten, më 23 tetor, nga ekrani i Facebook-ut, Rama nisi të shfaqte një nga një fotografitë e 45 personave, të shoqëruara me iniciale, mosha dhe pretendime për precedentë penalë. Sipas kryeministrit, ata ishin fytyrat e vërteta të një proteste që prej ditësh ishte përshkallëzuar në përplasje me policinë, dëmtime institucionesh dhe arrestime.

Në një komunikim ku nuk munguan as “duart e zeza”, financimet nga krimi i organizuar, agjenturat e huaja dhe rrjeti “Antifa”, Rama u përpoq të argumentonte se pas protestës nuk qëndronin studentët, por individë me të shkuar kriminale. Mes fotografive të publikuara ishte edhe ajo e një studenti 20-vjeçar të Mjekësisë Dentare, të cilin kryeministri e paraqiti si person pa lidhje me universitetin dhe me precedent penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Por ndërsa 45 qytetarë shihnin fotografitë dhe të kaluarën e tyre të pretenduar penale në ekranin e kryeministrit, vetëm pak javë më parë prezumimi i pafajësisë kishte zënë një vend të rëndësishëm në qëndrimet publike të Ramës, teksa hetimet e SPAK-ut kishin prekur figura të rëndësishme të mazhorancës.

Gjyqet mediatike, ekspozimi publik dhe trajtimi i njerëzve si fajtorë përpara se drejtësia të shprehej ishin kthyer në shqetësime të përsëritura të kryeministrit. Por më 23 tetor, ai publikoi fotografitë dhe të dhënat e pretenduara penale të protestuesve, pa bërë të qartë në çdo rast nëse bëhej fjalë për dyshime, procedime apo dënime gjyqësore.

Megjithatë, në fjalimin 24-minutësh, pamjet e të rinjve të plagosur, denoncimet për dhunë policore, 27 raportimet për pengimin e gazetarëve dhe shoqërimet e mbi 200 të miturve ishin lënë jashtë këtij rrëfimi.

Komunikimi i Ramës, i përqendruar te ekspozimi i asaj që e quajti eksponent kriminal i protestës, risolli në vëmendje pikërisht atë praktikë që vetë kryeministri e kishte kundërshtuar me aq këmbëngulje kur kryefjala ishin zyrtarët e lartë të qeverisë: gjyqin publik dhe mediatik.

Standardi i dyfishtë i gjyqit publik

“Të drejtat nuk kanë biografi, nuk kanë parti, nuk kanë profesion dhe nuk kanë as popullaritet”, deklaronte kryeministri Edi Rama më 30 shtator, gjatë prezantimit të ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale.

Prej muajsh, Rama kishte kundërshtuar “gjyqet mediatike”, publikimin e materialeve hetimore dhe trajtimin si fajtorë të personave për të cilët drejtësia ende nuk kishte dhënë një vendim. Mbrojtja e prezumimit të pafajësisë ishte kthyer në një nga argumentet e tij të përsëritura, duke e përfshirë edhe në përplasje publike me SPAK-un, veçanërisht pas hetimeve ndaj figurave të rëndësishme të mazhorancës, përfshirë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Rama kishte kritikuar mënyrën e zhvillimit të hetimeve, duke iu referuar “grupeve hetimore të stacionit të trenit”, që, sipas tij, kishin bërë zakon t’i njoftonin akuzat në “rrugë të shtrembër”.

Por më 23 tetor, në rrjetet sociale të vetë kryeministrit, prezumimi i pafajësisë dukej se kishte humbur vendin që i ishte rezervuar në diskursin e tij. Rama publikoi fotografitë dhe të dhënat që ai i paraqiti si precedentë penalë të 45 protestuesve, duke i vendosur brenda një rrëfimi për kriminalitetin, financimet e huaja dhe organizimin e dhunës.

Mes tyre kishte persona për të cilët përmendeshin dënime të mëparshme, por edhe të tjerë për të cilët nuk sqarohej nëse bëhej fjalë për dyshime, procedime apo vendime gjyqësore. Ndërkohë, pretendimet për financimin e protestës nga krimi i organizuar dhe forca të huaja nuk u shoqëruan gjatë komunikimit me prova të verifikueshme publikisht.

Megjithatë, ky komunikim nuk ishte hera e parë që kryeministri përdorte rrjetet e tij sociale për të ekspozuar pjesëmarrësit në protestë.

Që në javët e para të tubimeve, në fillim të qershorit, fotografi bardhezi të pjesëmarrësve në protestë shfaqeshin në profilin e tij në Instagram, të shoqëruara me komente për veprimet apo të shkuarën e tyre. Në ditën e 21-të të protestës, Rama publikoi fotografinë e Entela Spahivoglit, të cilën e akuzoi se kishte ndërtuar pa leje, ndërkohë që protestonte kundër qeverisë. Tri ditë më vonë, në profilin e kryeministrit u shfaq fotografia e një tjetër protestuesi, Erlis Sina, i cili reagoi publikisht duke kundërshtuar mënyrën se si ishte paraqitur.

Pas më shumë se 140 ditësh protestë, Rama nuk ka ndryshuar as mënyrën e ekspozimit të protestuesve, as pretendimet për “duart e zeza” që fshihen pas tyre. Por, tashmë, kryeministri duket i vendosur të provojë se në shesh nuk ka vetëm studentë, duke anashkaluar atë që pjesëmarrësit e kanë përsëritur prej fillimit: kjo nuk është një protestë vetëm e studentëve, por edhe e qytetarëve të pakënaqur me qeverinë dhe, në fund të fundit, e drejta për të protestuar nuk kërkon diplomë universitare.

Dhuna që nuk hyn në statistika

Në monologun e kryeministrit, nuk mungoi as krahasimi me vendet e BE-së, që kësaj radhe linte vend edhe për meritë.

Dhuna e ditëve të fundit kishte edhe një bilanc që, sipas tij, e dallonte Shqipërinë nga çdo vend tjetër europian: më shumë se dy policë të plagosur për çdo protestues apo kalimtar të lënduar.

Të rinj që ndiqeshin këmbë-këmbës në rrugët e kryeqytetit, të tjerë të shtrirë përtokë, të neutralizuar, që në vend të prangosjes dhe shoqërimit goditeshin me shkopinj gome nga efektivët. Denoncime për dhunë ndaj të miturve, pamje të të rinjve me gjymtyrë të dëmtuara dhe plagë që, sipas raportimeve, ishin shkaktuar nga plumbat e gomës.

Krahas tyre, edhe rastet e pengimit të gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Kjo ishte një panoramë tjetër e përplasjeve në rrugicat e qendrës së Tiranës, që u përjetua, por nuk gjeti vend në raportin numerik të kryeministrit.

Protestat, që prej 12 ditësh kanë përshkallëzuar në akte të dhunshme, kanë lënë pas institucione të dëmtuara, policë të plagosur dhe qytetarë të arrestuar, por edhe një numër të konsiderueshëm denoncimesh për dhunë nga ata që kishin detyrimin të garantonin rendin.

Gjithsej 204 të mitur ishin arrestuar ose proceduar penalisht, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut kishin mbledhur dëshmi për dhunë fizike dhe verbale gjatë ndërhyrjeve policore.

Pak orë pas komunikimit të kryeministrit, zëvendësministrja e Brendshme Silva Caka deklaroi se shtatë efektivë policie ishin pezulluar nga detyra, katër të tjerë po hetoheshin nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa 55 qytetarë kishin paraqitur ankesa për sjelljen e policisë.

Ndërsa ditën e sotme, përtej dhunës fizike, ekspozimi publik i protestuesve ngriti edhe çështjen e dëmtimit të reputacionit të tyre, si një tjetër formë dhune. Joni Sinoimeri kundërshtoi pretendimet e Ramës se nuk ishte student dhe kishte precedentë për narkotikë, ndërsa Sardi Xibri doli përpara kamerave me dëshminë e penalitetit, ku rezultonte i padënuar. Të dy u detyruan të kundërshtonin publikisht informacionet që kryeministri kishte shpërndarë për ta, mbase pa llogaritur kostot mbi dy të rinjtë.

E drejta për të protestuar nuk justifikon dhunën ndaj policisë e as dëmtimin e pronës private, por përgjegjësia për këto akte nuk mund të përcaktohet nga shkopinjtë e gomës dhe përdorimi i precedentëve penalë apo statusi i protestuesve nuk mund të përdoret për legjitimimin e dhunës policore.

Komunikimi i 23 tetorit të numrit një të qeverisë nuk la pas vetëm një listë të protestuesve me precedentë penalë, por edhe ngriti pikëpyetje mbi kufirin e hollë të detyrës së një kryeministri për informimin e publikut dhe përdorimit të pushtetit të tij për të ekspozuar qytetarët që kundërshtojnë qeverinë./ Xhesika Tollia, Shteg.org

Zjarr Tv Ad