Zgjedhjet vendore do të mbahen më 9 maj 2027

Share

Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore duhet të mbahen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela nga data 15 prill deri më 15 maj.

Për përcaktimin e datës, Presidenti zhvilloi konsultime me përfaqësuesit e forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, në cilësinë e përfaqësuesit të institucionit përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor.

Ftesës për konsultim iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërkohë, subjektet e tjera politike zgjodhën të mos marrin pjesë në konsultime dhe nuk bënë publike preferencat e tyre lidhur me datën e zgjedhjeve.

Sipas Presidencës, përfaqësuesit e pranishëm u shprehën të hapur ndaj alternativave të ndryshme për datën e votimit.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi 9 majin 2027, duke argumentuar se caktimi i kësaj date do t’u linte institucioneve më shumë kohë për përgatitjet dhe marrjen e masave të nevojshme për organizimin e procesit.

Të njëjtën datë preferoi edhe Partia Socialdemokrate.

Në njoftimin e Presidencës theksohet se përzgjedhja e datës 9 maj nuk lidhet me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizimin e ndonjë pale politike dhe as me ndonjë ndikim të mundshëm në ushtrimin e lirë dhe të pandikuar të së drejtës së votës.

Pas konsultimeve, Presidenti i Republikës vendosi të dekretojë zyrtarisht datën 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Në përfundim, Kreu i Shtetit u bëri thirrje subjekteve politike që të marrin pjesë në garë me alternativa, platforma dhe kandidatë që përmbushin standardet e një procesi demokratik.

Ai kërkoi gjithashtu që palët të garantojnë një konkurrim të drejtë dhe të ndershëm, të respektojnë kuadrin ligjor dhe barazinë e garës, si dhe të bashkëpunojnë plotësisht me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e një procesi në përputhje me standardet më të larta demokratike.

Read more

Local News