Berisha thirrje studentëve: Nesër dilni në protestë që të rrëzojmë Ramën!

Share

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme kundër qeverisë së Edi Ramës.

Përmes një deklarate për mediat, Berisha i ka ftuar studentët dhe qytetarët e të gjitha moshave dhe bindjeve politike të dalin në protestë, duke e cilësuar mbështetjen për protestat e zhvilluara së fundmi si një përgjegjësi të përbashkët qytetare.

“Kam një thirrje miqësore për çdo qytetar shqiptar, të bashkohemi nesër në protestën më të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore kundër Padrinos së Shqipërisë, kreut të organizatës kriminale, narkodiktaturës që ka vendosur ai. Suksesi i revoltës studentore është sukses i çdo qytetari shqiptar që e do këtë vend. Është sukses i shqiptarëve të të gjitha moshave dhe bindjeve që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri”, është shprehur Berisha.

Më tej, kreu i PD-së ka vlerësuar qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e studentëve, duke u bërë thirrje qytetarëve që të jenë në krah të tyre në protestën e paralajmëruar.

Në përfundim të mesazhit, ai përsëriti thirrjen për pjesëmarrje masive në tubimin e nesërm në Tiranë: “Të gjithë në Tiranë, të gjithë me studentët”.

Read more

Local News