Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka njoftuar se hetimet për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku kanë përfunduar dhe se dosja do të dërgohet këtë të hënë për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Gjatë një takimi me gazetarët, ku ishte i pranishëm edhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, Braho bëri me dije se procedura hetimore ka përfunduar.
“Ju njoftoj për mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun dhe ju bëj me dije se sot çështja do të dërgohet në gjykatë. Vlerësojmë se kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, deklaroi Braho.
Ai theksoi se ato që janë paraqitur nga SPAK janë pretendime të organit të akuzës dhe se do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë provat, duke nënvizuar se çdo person gëzon prezumimin e pafajësisë.
Braho u ndal edhe te vendimi i Kuvendit për të mos dhënë autorizimin e kërkuar nga SPAK, duke deklaruar se, pavarësisht këtij vendimi, hetimet janë thelluar dhe janë shtuar edhe tri akuza të tjera.
“Qëndrimi ynë është që kërkesa jonë duhet të ishte pranuar”, u shpreh kreu i SPAK.
Ndërkohë, prokurori Dritan Prençi deklaroi se nuk ka pasur asnjë presion, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, gjatë ushtrimit të detyrës.
“Nuk kam pasur asnjë presion direkt apo indirekt. Kam ushtruar detyrën shumë i qetë”, u shpreh ai.
Prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kanë shpjeguar gjithashtu akuzat dhe rolin e 28 të pandehurve në këtë çështje.

