Armir Shkurti: Bovarizmi i madam Elisës

Share

Nga Armir Shkurti

Bovarizmi i madam Elisës.

” Punët e nisura mbrapsh më ters venë prej së ligës”

Makbeth.

Kur bordello përjashton një punonjëse, a quhet kritika e saj ndaj bordellos?

Plot kundërshtarë të Ramës gëzojnë që kryeministrit i dalin hasëm nga brenda shtëpisë. Mallkimi i qëmotshëm ” qelbësira kudojeni bashkohemi të hedhim Saliun” po kthehet në klithmëbetejën e sotme: “qelbësira kushdoqofshi, bashkohemi të hedhim Ramën”.

44 protesta bëri PD nën dritaren e Erion Veliajt, të cilin e konsideronte “hajdutin e inceneratorit”. Por javën e kaluar kryetari i PD shpalli gadishmërinë e bashkëpunimit me “hajdutin” dhe çdo hajdut tjetër të vathës mavi, vetëm e vetëm “për të rrëzuar Ramën” , që në shqip përkthehet “vetëm për ta marrë pushtetin me çdo çmim, ose ose, përkthyer në makiavelisht: “qëllimi justifikon mjetin”.

Përjashtimi absolut i moralit prej politikës dhe pranimi përulësisht i aksiomës se “politika është kurvë” e ka kthyer vendin në një bordello gjigande, të pranuar dëshpërimisht prej shumicës prej ne, të mbeturve këtu.

Ndjesë, por unë jo! Nuk e gëlltis!

Një individ, i kthyer në qesharak për patetizmin dhe servilizmin absurd, që quan kryeministrin e vendit “Skënderbe”, me të humbur ofiqet e larta kthehet befas nga Mamicë në Hamza?

Është mallkimi ynë? Ndoshta! Por unë jam kundër! Me shumë neveri KUNDËR!!

“Bovarizmi është gjendja e pakënaqësisë kronike dhe zhgënjimit ekzistencial që lind nga hendeku i madh mes realitetit të zakonshëm të jetës dhe ëndrrave apo pritshmërive jorealiste.”

Mëkati i Edi Ramës në këtë mesele është se e futi ai Madam Elisa Bovary në këtë kurth ëndërrimi që tash është shnnërtuar në kurth ekzistencial. Metamorfoza e Madam Elisës nga ç’qe dikur ( foto 1 dhe 2 në kopertinë ) në një flutur më pas ( foto 3 në kopertinë ) na dëshmojnë se Edi Rama ia tejkaloi kësaj qenieje çdo ëndërr, fantazi a çmunduri, duke e bërë deri kryetare të parlamentit e më pas, Hirushja e qëmotit me bluza të lira e pa shije na shkëlqente me fustane ballosh në sallonet e Vjenës si ministre e jashtme. Deri ato ditë e netë, Edi Rama vazhdonte të mbetej “Skënderbe”. Jo vetëm i pagëzuar prej Bovarisë, por edhe i mbrojtur me fanatizëm ai dhe Rilindja nga ky personazh që fluturoi, siç thonë italianët: “dalle stalle alle stelle” ( nga ahurët drejt te yjet ).

Kjo Elisa , pra, ka qenë një prej qenve të sulmit të Edi Ramës kundër nesh dhe kundërshtarëve të atij. Ky Erion Veliaj profetizonte se “do tu bëhen gjak gjunjët atyre që luten të përçahem unë me Ramën”. Tani që janë dëbuar nga oborri, që të dy këta, ish shokë të Mjaftit, janë kundërshtarë për jetë a vdekje. Po a janë me ne? A janë si ne?

Si fillim, denoncimi i së keqes duke qenë ende në detyrat shtetërore që kanë patur do të kishte pas qenë hapi i parë i përcaktimit të kahut. Më pas, një ndjesë publike për çka kanë bërë keq dhe kundër popullit, duke marrë në sy edhe rrezikun e burgut. Por çdokush prej tyre ( nise që nga Ben Ahmetaj ) ka qenë një qen i zellshëm e besnik ( në dukje ) , gati të shqyejë këdo kundërshtar të Edi Ramës dhe i gatshëm të japë edhe jetën ( gjoja ) për liderin botëror!!

Unë nuk fus dot në shtëpi një qen që kafshon të zotin. Edhe kur i zoti ka qenë barbar, i dhunshëm, gjaksor, sërish ai qen nuk mund të afrohet, sepse në fund të fundit veset e këqija tashmë i ka të pashlyeshme.

Këta/o përbindësha që prodhoi rilindja duhet të mbeten në atë breg të historisë! Është katastrofë të çojmë ndërmend të ringremë sistemin me jashtëqitjet e mllefosura të politikës së kalbur nga korrupsioni i tranzicionit.

P.S: Ruaj të drejtat e subjektit për një kryevepër botërore à la “Madam Bovary” me një personazh si Elisa, e cila përfundon lodër në duart e ndyrësirave karieristë, amoralë, të korruptuar e të paburrë në PS, që shfrytëzojnë fluturimet haluçinante të një personazhi që ëndrrat ia krijoi, ia realizoi dhe ia tejkaloi “Skërderbeu”, por kur mendoi se po i ngulte shpatën “Skënderbeut” kuptoi se në fakt çau flluskën e ëndrrës. E mbetur zgjuar, në terr dhe me shtrigat që i pëshpërisin helm në vesh, mendon se po hakmerret për parajsën e humbur, pa kuptuar se është koka e dashit në duart e batakçilerëve që kërkojnë të shpërthejnë portat e e Ramës.

Read more

Local News