Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi golin e fitores për Albaseten ndaj Rajo Mahadahondës, në javën 19-të të kampionatit, rrjetë që vulosi rezultatin 1-0. Falë këtij suksesi, Albasete është në vendin e dytë me 37 pikë, vetëm 1 pikë më pak sesa Granada, dhe sipas formatit, dy ekipet e para ngjiten në Primera Divizion.
“Dua që të shkojmë në fushën e Granadës dhe të dalim në vend të parë, – ishin fjalët e shqiptarit pas fitores, – bëmë një ndeshje të madhe dhe e merituam fitoren.
Manaj po arrin formën e tij maksimale në futbollin spanjoll. Futbollisti i rikthyer në kombëtare nga trajneri Panuçi ka realizuar deri tani 5 herë në kampionat, aspak gjë e vogël duke pasur parasysh se në disa ndeshje nuk luajti fare. Ai është kthyer në lojtar me shumë peshë, dhe falë golave të tij, Albasete po ngjitet pa u ndalur drejt kreut. Pasi nuk arriti të shfrytëzonte shanset e tij tek Interi në Serinë A, duket se Manaj ka arritur pjekurinë e duhur si futbollist profesionist, diçka që do ta ndihmojë në karrierë, dhe do të ndihmojë edhe kombëtaren shqiptare.




