Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kur të paraqesë progres raportet për secilin vend më vonë këtë vit.
Komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn i tha sot Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, se hapja e negociatave me partnerët që i kanë përmbushur kushtet lidhet me besueshmërinë e BE-së.
“Nëse partnerët tanë i kanë plotësuar kushtet, është detyra jonë për të përmbushur angazhimin tonë dhe për t’i hapur negociatat. Hapja e negociatave kërkon votën uanime të të gjithë anëtarëve.”
Komisoneri ka vlerësuar se BE-ja ka partnerë të shkëlqyer në Ballkanin Perëndimor. Ai ka folur edhe për problemet në rajon, sidomos bllokimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ka shpresuar për tejkalimin e ngërçit.




