Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se është në harmoni të plotë me aleatët e tij, të cilët kanë edhe një takim nesër me presidentin Meta për krizën politike. E teksa këta të fundit në platformën e tyre kërkuan një tryezë politike mes tij dhe Ramës si kryetar i PS-së, Basha përsëriti se kusht kryesor mbetet largimi i kryesocialistit si kryeministër dhe krijimi i një qeveri tranzitore.
Basha: Nuk ka asnjë mospërputhje mes qëndrimeve të PD dhe gjithë koalicionit tonë. PD ka përfunduar javën e kaluar një dokument të detajuar sa i përket detyrave të qeverisë tranzitore në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe do ta paraqesë në ditët e ardhshme në mënyrë publike. E kemi diskutuar dhe me aleatët tanë dhe një pjesë e mirë e pikave që aleatët kanë shpalosur sot janë dhe pikat e programit tonë, ka një përputhje totale.
Koalicioni opozitar po vepron me bashkëpunim, mirëkuptim dhe sinergji të plotë për të ecur përpara.Çështjet e tjera janë detaje të parëndësishme. Kryesorja është zotimi i gjithë koalicionit opozitar, që është sot mazhoranca e re politike, numerike dhe morale në vend, është regjistrimi në zgjedhje dhe pjesëmarrja në zgjedhje vetëm kur të ketë vërtet zgjedhje dhe jo një farsë kriminale dhe kushti për këtë mbetet largimi i Edi Ramës nga qeveria dhe një qeveri tranzitore që do të plotësojë kushtet për të cilat do të keni më shumë informacione në ditët në vijim.
Deklaratën Basha e bëri pas takimi me përfaqësues të Institutit Ndërkombëtar Republikan, ku tha se po avancojnë në rrugën për demokratizimin dhe modernizimin e PD-së.
Basha: PD pavarësisht prej sistemit zgjedhor që do të ketë Shqipëria do të zgjedhë kandidatët e vet me një anëtar një votë. Jemi sot në një betejë për jetë a vdekje për demokracinë.




