Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë të pandehur kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai. Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Kryebashkiaku socialist është marrë i pandehur në kuadër të një procedimi penal që SPAK e ka regjistruar pas kallëzimit të avokatit nga Korça Esmerald Xhafa, teksa mësohet se hetimet po ndiqen nga prokurori Dritan Prençi.
Bashkë me Erion Isain, janë marrë të pandehur edhe 6 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kolonjës, të cilët po ashtu akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ata kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Kolonjës.
Një prej çështjeve për të cilat është marrë i pandehur Erion Isai ka të bëjë me ndërtimin e aksit rrugor Korçë-Ersekë. Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se nuk janë respektuar udhëzimet e autoritetit kontraktues dhe, po ashtu, cilësia e punimeve ka qenë e dobët. Gjithashtu, dyshohet se ka qenë e paracaktuar nga Erion Isai dhe anëtarët e KVO-së, kompania fituese për tenderin për ndërtimin e pjesës që i takonte Bashkisë së Kolonjë.
Rruga Korçë – Ersekë është gjithsej 35 kilometër e gjatë, standard normal i kategorisë C, me vetëm një korsi. Ndërtimi i aksit u nda në dy pjesë. Pjesa e parë me gjatësi 18 kilometra u bë gjatë qeverisjes demokrate me kosto totale 15 milionë euro.
Ndërsa pjesa e mbetur me gjatësi 17 kilometra u tenderua nga qeveria aktuale me një vlerë fillestare 5 miliardë lekësh ose gati 48 milionë euro. Por, faturës së kripur iu shtuan dhe 9,4 milionë euro përmes dy procedurash modifikimi të kontratës. Pra, Qeveria “Rama” e ndërtoi gjysmën e rrugës me mbi 3 herë kosto më të larta se Qeveria e Berishës.
Me këto ndryshime, kosto totale e rrugës shkoi në 72,4 milionë euro pa TVSH. Rruga Korçë-Ersekë duhet të përfundonte në qershor të vitit 2023. Por afati u shty me një vit dhe teksa pritej inagurimi, një pjesë e rrugës u ‘shkërmoq’ pasditen e 18 shkurtit të vitit 2024, ende pa nisur qarkullimi i mjeteve.
Punimet për këtë aks rrugor u kryen nga kompania “A.N.K ” e familjes së ish-deputetit Ndue Kola, ndërsa autoriteti prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ndërkohë, mësohet se Erion Isai akuzohet edhe për tenderat e rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit, Ujësjellësin e Kolonjës dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023. Dyshimet janë se punimet nuk janë kryer siç duhet, duke sjellë pasoja për cilësinë dhe standardet e punimeve publike në këtë zonë.
Për kallëzimin në fjalë, Erion Isai është thirrur në SPAK më 15 Janar të këtij viti, ku ka dëshmuar për rreth 1 orë, ku refuzoi të tregonte për mediat arsyen e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme.




