Deputetët e opozitës vijojnë raportimin e tyre në Komisionin Parlamentar për Hetimin e zgjedhjeve të 25 Prillit, pavarësisht se iu është ndërprerë sinjali në faqen zyrtare të Kuvendit. Deputetët e PD kanë hyrë live në Facebook, për të denoncuar atë që e kanë cilësuar dhe si masakër zgjedhore.
Ishte një nga punonjëset e administratës së Kuvendit ajo që i kërkoi më herët Enkelejd Alibeajt që të ndërpriste mbledhjen duke qenë se deputetët socialistë nuk ishin më në sallë. Ndërsa Alibeaj ka reaguar ashpër duke i kërkuar gardës së Republikës ta nxirrte përjashtë.
Alibeaj: Garda ju lutem zonjën nxirreni jashtë, nuk është as deputete. Alibeaj ka shtuar më tej se do të merrte veprime penale ndaj kujtdo që përpiqej të ndikonte në ndalimin e punës së komisionit, duke kërcënuar në këtë lloj mënyre edhe punonjësen e administratës e cila tha se nuk i druhej dickaje të tillë.
Alibeaj: Do të ndjek penalisht edhe ty dhe këdo që tenton të shkelë ligjin. Ndërkohë që mbledhja e Komisionit vazhdon, Kuvendi i Shqipërisë, ka shkëputur linkun e transmetimit të mbledhjes.




