Agjencia e Mbikqyrjes Policore prangos dy efektivët e Rrugores në Tiranë: Kapnin shoferët me RADAR, nuk i gjobisnin por merrnin para

0
50

Dy efektivë të Policisë Rrugore në Tiranë janë prangosur nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore (ish-SHÇBA), si të dyshuar për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

Inspektorët akuzohen se kanë marrë para gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas AMP, pasi ndalonin automjete, nuk i ndëshkonin ata me gjoba në shkëmbim të vlerave monetare.

Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore:

Pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë për llogari të Proçedimit Penal Nr. 5333 të vitit 2021, regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe i aplikuar me metoda speciale të hetimit , u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore dhe arrestimi në flagrancë i punonjësve të policisë:

– Inspektor E. Ç., me detyrë agjent verifikues/trup shërbimi në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

– Inspektor K. Ç., me detyrë agjent verifikues/trup shërbimi në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, i dyshuar për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

Arrestimi i tyre u krye pasi këta punonjës policie, duke qenë me shërbim me aparatin shpejtësi matës (Radar) dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi ndalonin automjete, nuk i ndëshkonin ata me masa administrative sipas parashikimeve të nenit 140 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, në shkëmbim të vlerave monetare.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe vlerat monetare të përfituara nga punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Zjarr Tv Ad