Kolegi Zgjedhor ka rrëzuar ankimimin e kandidates së Partisë Demokratike, Andia Ulliri, dhe ka lënë në fuqi mandatin e deputetit Arjan Ndoja për qarkun Durrës në listën e hapur.
Ulliri e kishte kërkuar mandatin duke pretenduar se i takon asaj bazuar në kuotat gjinore.
“Pas përfundimit të kësaj seance, mund të them se ndiej më së shumti keqardhje sesi u trajtua kjo seancë, pavarësisht pretendimeve ligjore, të cilat nuk ishin me vend, siç ishte pretendimi se ne nuk jemi palë e legjitimuar, sepse kemi kaluar dy seanca me komisionerë dhe KAS-in, ku në jemi legjitimuar si palë e interesuar.
Sot kuptuam se një pjesë e drejtësisë që ne aspirojmë me të vërtetë, mungon. Këtë betejë, si çdo betejë tjetër timen, do ta çoj deri në fund,” u shpreh Ulliri pas pjesëmarrjes në seancën e ankimimit.
Avokati i saj, Indrit Sefa, tha se beteja e nisur që në fillimin e saj është menduar të çohet deri në Gjykatën Kushtetuese.
“Mendoj që atje [në Gjykatën Kushtetuese] do të përfundojë dhe do të marrë një përgjigje përfundimtare.
Vendimi i sotëm për të mbyllur dyert e gjykatës dhe aksesin në drejtësi ndaj një kandidati i cili kundërshton një vendim që sjell efekte për të personalisht, si individ, është i pashpjegueshëm,” deklaroi z. Sefa.
Tri javë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve interpretoi së pari se kandidatja Ulliri ka marrë më pak vota pëlqyese se z. Ndoja dhe, së dyti, se kuota gjinore që ajo pretendon nuk është e aplikueshme në këtë rast, për shkak se ligji thotë se në listën e hapur, kandidatët renditen mbi bazë votash pasi është shteruar lista e mbyllur dhe pastaj mbi bazën e kuotës gjinore.




