Azilet me dh*në, rrezik, korrupsion dhe pa mjekë! Rrëfehen të moshuarit: Drejtoresha na vjedh lekët!

0
149

Prej shumë vitesh i moshuari Rrapi Bregu endet rrugëve të kryeqytetit. Pavarësisht se ka punuar 40 vite, ai nuk përfiton pension, çdo ditë nuk e ka të sigurtë nëse do të mbetet gjallë.

Për një kohë të gjatë, Rrapi ka fjetur poshtë urave të Lanës, në ndonjë stol ose trotuar në mes të të ftohtit të dimrit dhe vapës së verës. 73-vjeçarit pasi i prishën vilën dykatëshe që ndodhej pranë Fabrikës së Miellit, buzë lumit Lana e shpërblyen me një çmim të ulët prej 12 milionë lekësh të vjetra, lekë me të cilat do të paguante qiranë e banesës ku do të jetonte. Por, përtej mungesës së shtëpisë dhe mungesës së fëmijëve në jetën e tij, ai tashmë do të duhet të përballet me humbjen e bashkëshortes. I moshuari ka jetuar një vit në Qendrën Sociale “Strehëza Tiranë”, por edhe këtu do ta shoqëronte “fati i keq”, e nxorën jashtë duke i treguar rrugën. Dhimbje pas dhimbje që për Rrapi Bregun është një tragjedi, që mund t’i ndodhë kujtdo, edhe ty që po na sheh.

“Kam 40 vite punë por nuk kam të regjistruar asnjë ditë mbi veten time, më kanë humbur të gjitha. Jam interesuar nuk ekziston asgjë, ndërmarrja u bë copa, janë bërë pallate. Jam Rrapi Bregu, kam punuar shofer, më vdiq gruaja, fëmijë nuk kam. Erdha këtu në azil në këtë qendrën sociale që ka bërë këtu bashkia, as vitin nuk e mbusha atje, përse më ndoqën një zot e di, unë nuk di gjë. Kam shkuar tek ato drejtoreshat që janë tek Torre Drini nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje të saktë”, tregoi Rrapi Bregu. Pasi e nxorën nga Qendra Sociale “Strehëza Tiranë” Rrapi u end sërish rrugëve të Tiranës deri sa gjeti një dhomë 4 m/2 me një çati të sajuar me llamarina dhe mushama pranë ish-Uzinës së Traktorëve. 73-vjeçarit do t’i bashkoheshin edhe dy shokë të tjerë që ishin nxjerrë jashtë nga qendra sociale.

DËSHMIA

“E gjetëm këtë kështu, hymë këtu brenda, erdhi ai që është si tip përgjegjësi këtu, nuk donte të na linte, janë të bashkisë këto, janë të shtetit. Por i thashë: “Mirë të tjerat që më humbën pensioni, të gjitha këto, por edhe për të fjetur nuk do të më lini të futem këtu në këtë kotecin”. “Jetojmë këtu tre veta”, tha 73- vjeçari. Ata jetojnë pa asnjë kusht minimal në një hapësirë ku kanë improvizuar tre krevate të ndërtuar me sfungjerë, baleta druri dhe blloqe betoni që zëvendësojnë këmbët e krevatit. Për ushqimin e ndihmojnë institucionet fetare, por edhe njerëz që kanë zemër të mirë, ku i sigurojnë një vakt, larjen në dush një herë në javë dhe larjen e rrobave.

“Këtu vetëm që nuk kam kushte, për t’u larë shkoj tek motrat katolike një herë në javë. Lë të palarat dhe marr të larat. Asgjë më tepër”. Tani vete atje tek shkolla e kuqe, dhe bukën atje e marr, urdhëro, na i jep ai i Shkollës së Kuqe, e di që jemi përjashta na thotë: “Merreni edhe këtë ta hani për darkë, bukë thatë”. Po të kemi ndonjë makarona ose vezë, i kemi edhe këto, bombola nuk ka gaz, nuk kemi lekë ta mbushim më, nuk gatuajmë dot”, rrëfeu i moshuari Rrapi Bregu. Brenda strehës ku fle i moshuari dhe dy shokët e tij shikon baleta me dërrasa, sfungjer që ka improvizuar krevatin. Një skamje që të trishton, kalon kufijtë e çdo dhimbjeje njerëzore. Fatkeqësisht askush nuk ka vënë dorën në zemër dhe ta ndihmojë me një strehë që të kalojë vitet e pleqërisë.

“Kam një copë sfungjeri këtu, shtruar edhe këtë batanijen, edhe këto dy baletat shtruar dy dërrasat poshtë, ndonjë bllok dhe asgjë më shumë. Bie shi këtu bie shiu ku është ajo goca, nga lartë prapë, bie shi, mblodha ca mbushma andej dhe i solla këtu, kur të mbarojnë këta marangozët do t’iu lutem kur të mos kenë punë shumë të më ndihmojnë t’i vendosin një çik lart se unë nuk jam i zoti, as unë as këta”, shpjegoi 73-vjeçari.

I moshuari përballet edhe me probleme shëndetësore, çdo muaj i duhen 150 mijë lekë ilaçe, para të cilat nuk i siguron dot. Për pak kohë do t’i nënshtrohet një operacioni për zemrën, i cili është vendimtar për jetën e tij.

“Unë jam i sëmurë nga zemra kam një valvul me defekt, valvulën e majtë, pres të më fusin në operacion, por se kur do të vijë dita që do të më fusin në operacion nuk e di. Me tension dhe të gjitha, kam qesen me ilaçe, marr 150 mijë lekë ilaçe në muaj. Ato ilaçe dy herë m’i ka blerë prifti i kishës ortodokse, njëherë m’i blenë ato katoliket, por nuk mund të kërkoj aty çdo muaj lekë për ilaçet se dhe ato janë me kushte të vështira. 150 mijë lekë nuk janë pak ilaçet. Nga qeveria kërkoj të më ndihmojnë të bëhem operacion dhe po të munden të më fusin diku në një garsoniere që të kem një banjë të lahem”.

“Kjo ishte jeta ime, përfundoi në këtë kotecin këtu siç e shikoni juve”, tha Rrapi Bregu.

PREJ STREHËS NË GREMINË

Në Shqipëri, ekzistojnë aktualisht gjashtë qendra rezidenciale publike për të moshuar në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan. Këto institucione, të krijuara për të ofruar përkujdesje bazike, jetesë të sigurt dhe ndihmë shëndetësore, kanë vite që përballen me mungesë fondesh, mungesë stafesh të trajnuara dhe infrastrukturë të degraduar. Azilet private për të moshuarit janë me kosto të lartë pagese mbi 50 mijë lekë të reja, vetëm pak persona mund ta përballojnë shpenzime të tilla. Pamundësia financiare, jetesa vetëm me një pension minimal i detyron t’i drejtohen si zgjidhje azileve publike.

“Këtu jemi të gjithë ne që jemi në pragun e (shenjë d.m.th vdekjes). Jemi të sëmurë fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht, dikush më shumë dikush më pak, janë njerëz problematikë”, tregoi i moshuari në azilin e Kavajës. Çdo ditë në këto azile banorët përballen me kushte që nuk përputhen me asnjë standard europian të përkujdesit social. Të ulur në stolat e oborreve, shumë prej tyre kalojnë orë të tëra në heshtje, pa aktivitete, pa shpresë. Me hapa të ngadaltë dhe zëra të lodhur, përpiqen të tregojnë shqetësimet e tyre. Nga pas, gjithmonë i ndjek frika se një fjalë e gabuar mund t’i kushtojë më pak përkujdesje nga stafi.

SKANDALI ME USHQIMET

Në qendrat rezidenciale për të moshuarit nuk mungon kuzhina, por problem është ushqimi pa cilësi. Supa e hollë e cila ka më shumë ujë se sa oriz dhe makarona, gjellë me fasule që vështirë se i gjen kokrrat e fasules në pjatë. Qepë e domate për drekë nuk mjaftojnë, që të moshuarit të marrin kaloritë e mjaftueshme për të kryer lëvizjet e nevojshme. Shpesh herë të moshuarit, me ato pak qindarka që iu mbeten dalin nga azilet dhe blejnë vetë ushqime në dyqanet më të afërta. “Djathë, na bien një djathë shumë të keq me krip, nuk hahet”.

“Marrin tek ai Mireli, ai qumështi është gjysmë për gjysmë me uj”. Edhe gjalpin që japin është margarinë, nuk është gjalpë”, tregoi i moshuari i azilit në “Ali Demi”. Gati shumica e të moshuarve e kanë të pamundur të kujdesen për veten, të gatuajnë, të lajnë rrobat, të pastrojnë. Ata i kanë sytë e tyre tek personeli i azilit, i cili ofron shërbim sipas fondeve që ofrohen nga Shërbimi Social Shtetëror, Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkitë. “Si në azil jemi, azil është”. “Azili si azil është çfarë të të them”, tha një i moshuar i azilit të Fierit. Shpesh herë për shkak të ushqimeve me cilësi të dobët, banorët e këtyre azileve sëmuren dhe përfundojnë në spitale dhe për shkak të frikës që mbizotëron në këto ambiente janë të detyruar të “kyçin” gojën. “Ushqimin na e japin keq, sesi e bëjnë nuk e di” “Më vjen për të vjellë”. “Kam pirë ilaçe kam qenë duke vdekur, më mori Fatosi më çoi tek spitali, mora ilaçe”, tregoi një tjetër banor i azilit të Kavajës.

MUNGESA E AUTOAMBULANCËS NË URGJENCË

Një nga problemet më të rënda të konstatuara është mungesa totale e mjeteve të transportit mjekësor. Në rast se një i moshuar sëmuret rëndë, institucionet nuk kanë ambulanca apo automjete për ta dërguar në spital. Në disa raste, punonjësit janë detyruar të thërrasin ndihmën e shpejtë nga qyteti ose të presin orë të tëra për një mjet transporti. Kthimi në institucion pas rehabilitimit është një tjetër sfidë. Në shumë raste, të moshuarit janë detyruar të qëndrojnë më shumë se ç’duhet në spitale publike, për shkak se azili nuk mund t’i tërheqë me mjetet e veta, por vetëm kur i sjellë ambulanca. Ky fakt konfirmohet nga vetë të moshuarit në Tiranë, Fier, Poliçan dhe Kavajë.

Gazetari: Azili a ka vetë ambulancë?

I moshuari: Jo, nuk ka fare

I moshuari: Jo! Doktor nuk kemi, infermiere, po, ka

Gazetari: Po për dentist si ia bëni? Kemi apo nuk keni?

I moshuari: Jo, nuk kemi dentist

Gazetari: Po kontrolle me dentist a ju bëjnë?

I moshuari: Jo, nuk na bëjnë kontrolle

I moshuari: Mua nuk më qëndrojnë protezat, i thashë drejtoreshës. Më tha: Ka ngjitëse në farmaci, ngjiti me atë. Asnjë kontroll, Asnjë parandalim dhe kujdesi shëndetësor i pamjaftueshëm.

Problemet shëndetësore në moshën e tretë nuk janë të rralla. Por çfarë ndodh kur askush nuk kujdeset për ta? Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, shumica e institucioneve nuk ofrojnë vizita të rregullta mjekësore, nuk kanë mjekë të angazhuar me kontratë të plotë dhe mungojnë totalisht trajnimet mbi geriatrinë dhe gerontologjinë. Geriatrina është specialiteti mjekësor i dedikuar për ofrimin e kujdesit me cilësi të lartë me fokus shërbimin ndaj pacientëve të moshuar. Në vendin tonë, edhe pse numri i të moshuarve po vjen gjithnjë e në rritje, personeli mjekësor nuk është i përgatitur për shërbime ndaj kësaj kategorie. Pas të 60-ve kostoja mjekësore e jetesës rritet shumë, sidomos te 70-80-vjeçarët, të cilët kanë nevojë për shërbim intensiv. Ky problem rrit nevojat për më shumë mjekë dhe infermierë, sidomos për Geriartri. Rreth 40% e të moshuarve në Shqipëri vuajnë nga sëmundje kronike dhe jetojnë në varfëri, duke përkeqësuar sfidat e tyre shëndetësore. Nevoja për kujdes të vazhdueshëm po rritet me shpejtësi, por më shqetësues është fakti se ky problem nuk ka arritur ende në veshët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Duhet evidentuar se kjo e fundit nuk është se ka bërë shumë në këtë aspekt. Sëmundjet më të shpeshta nga të cilat vuajnë të moshuarit janë diabeti, tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës dhe problemet respiratorë. Më keq akoma, vizitat dentare janë inekzistente. Higjiena orale, që është thelbësore për shëndetin e përgjithshëm, nuk promovohet, nuk monitorohet dhe nuk konsiderohet prioritet. Burime zyrtare pohojnë se qendrat rezidenciale për të moshuarit nuk disponojnë shërbim dentar për këtë kategori dhe ata duhet të shkojnë privatisht tek dentisti me shpenzimet e tyre. Në dosjet e personelit mjekësor mungojnë kontratat, certifikatat e trajnimeve dhe vlerësimet periodike. Mungesa i detyron të moshuarit të paguajnë nga xhepi i tyre për marrjen e shërbimit sepse në të kundërt rrezikojnë të ngelen pa mjekim. Trajtimi mjekësor në klinikat private ka kosto të lartë, duke i detyruar ata të kërkojnë borxhe pasi me pensionin e tyre mezi nxjerrin muajin.

MOSRESPEKTIMI I LIGJIT PËR PENSIONIN SOCIAL

Në të gjitha këto institucione, të moshuarit që nuk kanë të ardhura përfitojnë pension social prej 6 mijë lekësh në muaj. Ky përfitim nuk përputhet me moshën ligjore për përfitimin e pensionit, që sipas ligjit është 70 vjeç dhe bie ndesh me ligjin për sigurimet shoqërore. Ndërsa diferenca në moshë mund të duket teknike, në praktikë ajo krijon precedentë të rrezikshëm dhe çon në keqadministrimin e fondeve publike. “Me nivelin e pensioneve dhe në nivelin maksimal në fakt në Shqipëri e kanë të vështirë të plotësojnë nevojat bazë. Dhe jo të mendosh që një pension diku tek 100 euro ti mbash 40% që i bie t’i lësh 60 euro për shpenzime të tjera. Me 60 euro një pensionist nuk mund të përmbushë nevojat as për një javë është e pamundur për tre ditë dhe jo të mendosh të përmbushen nevojat e një muaji”,- shpjegoi ekspertja e ekonomisë Romina Radoshiq.

STAF I PAMJAFTUESHËM DHE PA TRAJNIME

Shërbimi i kujdestarisë në qendrat rezidenciale është jetik. Në realitet, raporti i kujdestarit me banorët është shpesh 1 me 8 apo më shumë, ndonëse standardi kërkon 1 me 5. Për më tepër, shumica e stafit është me kohë të pjesshme, pa trajnim të përshtatshëm për trajtimin e të moshuarve me sëmundje kronike, me çrregullime mendore apo me aftësi të kufizuara. Sipas auditit, dosjet e stafit shpesh nuk përmbajnë dokumentacion të plotë, mungojnë vlerësimet vjetore dhe nuk ka ndonjë sistem për përmirësimin profesional të punonjësve.

Jetë në kushte të papërshtatshme, dhoma të mbipopulluara. Shumica e këtyre institucioneve, të moshuarit janë të vendosur në dhoma me 3 ose 4 shtretër, ndonëse sipas standardeve, një dhomë me tre shtretër duhet të ketë minimumi 18 m2 hapësirë të përdorshme. Në shumicën e rasteve, nuk respektohet as hapësira minimale, as privatësia e nevojshme për dinjitet njerëzor. Të moshuarit ndajnë gjithçka dhomën, ambientet sanitare, dhimbjet dhe heshtjen. Godinat janë të vjetruara, jo gjithmonë të përshtatura për njerëz me lëvizshmëri të kufizuar dhe kanë nevojë për investime urgjente në infrastrukturë. “Ça vendi, kudo vendi krimbur është. Këtu (Fier) kanë qenë nga Berati dhe kanë ikur, nga Poshnja ishte njëri, iku po bënë dy muaj. Nuk i pëlqeu kushtet”, tregoi një prej të moshuarve të azilit të Fierit.

RASTE DHUNE DHE KUJDES MENDOR I MUNGUAR

Një pjesë e madhe e banorëve në këto qendra vuajnë nga çrregullime mendore, demencë, depresion, çrregullime ankthi apo sjellje agresive. Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se azilet nuk kanë të angazhuar psikiatër dhe nuk ofrojnë shërbime për këtë kategori. Të gjithë banorët bashkëjetojnë, pavarësisht gjendjes së tyre mendore, gjë e cila rrit rrezikun për konflikte dhe përkeqëson gjendjen e të gjithë komunitetit. Kategoria që ka probleme të shëndetit mendor është një problem serioz, që shqetësojnë azilantët e tjerë përmes zhurmës së vazhdueshme gjatë orëve të natës. Në shumicën e rasteve i vendosin disa persona të sëmurë në të njëjtën dhomë për orë ose ditë të tëra, duke pasur edhe raste dhune. “Privati nuk të lejon po të jesh i sëmurë mendërisht nuk të qasin në azil. Kurse këtu (azili shtetëror) çfarë nuk hynë! Këtu janë gati 20 (persona me probleme të shëndetit mendor).”

“Bëjnë zhurmë, zihen, u bien dyerve, ata (infermieri) iu bënë qetësues. Unë po them të sëmurë mendor, ti thua…” tregoi një tjetër i moshuar i azilit të Fierit. “I lënë veç e veç apo bashkë në dhomë (të moshuarit me probleme te shendetit mendor). Nuk ka kushte veç e veç, bashkë si në kooperativë, siç janë kështu i mbledhin bashke në një dhomë”, citoi i moshuari. I moshuari në azilin e “Ali Demit” në Tiranë tregon se është dhunuar nga shoku i tij i dhomës, i cili ka probleme të shëndetit mendor. Pavarësisht se është ankuar tek drejtuesja e këtij institucioni, ndaj tij nuk është marrë asnjë masë. “Kështu ka njerëz që janë me probleme mendore, njëri është skizofren e rrahu shokun e dhomës dhe nuk e qas në dhomë edhe policia nuk ka çfarë ti bëjë. Është psikopat, pijanec, i dhunshëm. Ja shenja e dhunës që kam në krah (*tregon mavijosjen e krahut nga dhuna)”, rrëfen i moshuari i Ali Demit.

******

Kompania ‘4S’ e Xhino Sinanit fituese e 74 tenderëve me flamur të kuq

Por përveç dhunës, në qendrat rezidenciale publike janë konstatuar parregullsi me fondet publike për këtë kategori si mungesë transparence me tenderët për ushqim, ilaçe dhe pajisje.

Disa qendra raportojnë mungesë materialesh si detergjentë për rrobat, produkte higjienike dhe sende të domosdoshme për përkujdesjen e përditshme. Por kur paratë mungojnë, mungon edhe shpresa. Një nga këta tenderë është ka si objekt “Furnizim me ushqime” për Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë me fond limit prej 8 milionë lekësh. Procedura e tenderimit, që është cilësuar me “flamur të kuq”, është realizuar nga drejtori Fisnik Krasniqi, një funksionar nën juridiksionin e Bashkisë Kavajë. Sipas të dhënave nga “Openprocurement.al” një shërbim i AIS, tenderë me flamur të kuq paraqesin indicie për korrupsion dhe favorizim të kompanive në fushën e prokurimeve publike. Në këtë rast procedura është zhvilluar me vetëm një operator ekonomik, gjë që ngre dyshime të forta për favorizim dhe mungesë gare.

“Problematika të tilla do të sjellin probleme jo vetëm me kequshqyerjen, por do të sjellin pasoja direkte në cilësinë e jetesës në shtëpinë e të moshuarve. Shtëpia e të moshuarve duhet të jetë më e përgjegjshme, dhe këtu ka vend për hetim për të parë si është procesi i tenderimit dhe në çfarë sasie dhe në çfarë vlere është ky proces”, tha Romina Radoshiq. Me këto fonde do të furnizohej për 1 vit kuzhina me produktet e nevojshme për gatim. Tenderi u publikua më 29 janar 2025 dhe u mbyll në 10 shkurt. Procesi përfundoi pa konkurrencë me vetëm një kompani, e cila u shpall automatikisht fituese. Kompani fituese ishte “4 S”, që është në pronësi të Xhino Sinanit. “4 S” është një nga firmat më aktive në tregun e furnizimeve publike, nga konviktet e deri te institucionet e burgjeve dhe prej kohësh dyshohet për monopolizimin e këtij sektori.

NJË KLIENT I RREGULLT I BASHKISË KAVAJË

Vetëm gjatë vitit 2024, “4 S” ka fituar 74 tenderë nga njësitë e qeverisjes vendore, shumica e të cilëve janë identifikuar me “flamur të kuq”. Bashkia e Kavajës është një nga institucionet që ka lidhje të vazhdueshme me këtë kompani. Në prill 2024, firma fitoi një kontratë 12- mujore me vlerë 1.8 milionë lekë për furnizimin me mish për Shtëpinë e të Moshuarve. Po atë ditë, iu dha edhe një kontratë tjetër për bulmet, me të njëjtën vlerë dhe kohëzgjatje. Përveç ushqimeve, bashkia i ka dhënë kompanisë së Sinanit edhe tenderin për furnizim me lëndë djegëse si dru zjarri dhe pelet. Ndërsa nevoja për strehim për të moshuarit rritet çdo vit, numri i vendeve në dispozicion mbetet i kufizuar. Qindra aplikime bëhen çdo muaj, por shumë të moshuar mbeten jashtë. Të braktisur nga të afërmit por edhe nga shteti, i cili duhet të mundësonte më shumë qendra rezidenciale publike që të kujdeseshin për të moshuarit që nuk mund të jetojnë vetëm në shtëpi ku rrezikojnë të vdesin të harruar.

Vetëm dy prej këtyre institucioneve janë nën administrimin e Shërbimit Social Shtetëror, ndërsa të tjerat janë në varësi të njësive vendore, që shpesh nuk kanë as kapacitetet as burimet për t’i menaxhuar.

Të jetosh është një e drejtë. Por të plakesh me dinjitet nuk është vetëm përgjegjësi personale, por është një detyrim moral i shoqërisë. Madje edhe nëse shoqëria e humbet moralin, ekzistojnë institucione dhe ligje që nuk e përjashtojnë këtë shtresë nga përkujdesi. Në Shqipëri, sistemi i përkujdesit për të moshuarit është në krizë. Nga mungesa e fondeve, e deri te mungesa e trajtimit njerëzor, azilet tona po bëhen vendqëndrimi i hidhur i një shoqërie që ka harruar të vjetrit. Në një vend ku respektohet më shumë rruga sesa njeriu, të moshuarit janë kthyer në statistika të heshtura. Por pas çdo numri, ka një histori, një jetë. Një zë që meriton të dëgjohet nga institucionet të cilat duhet të jenë në shërbim të moshës së tretë.

/Gazeta Panorama

Zjarr Tv Ad