Bardhi: Në Shqipërinë e Ramës, korrupsioni paraqitet si viktimë

0
0

Një ditë pasi mazhoranca socialiste rrëzoi kërkesën e SPAK për të arrestuar Belinda Ballukun, kryetar i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat tha se nga sot “Edi Rama duhet parë siç është, një mbrojtës i korrupsionit”.

Bardhi thekson se vendimi i Ramës nuk është një vendim juridik, por një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij dhe interesat e qeverisë.

Sipas Bardhit, kjo tregon një përmbysje të prioriteteve në Shqipëri, ku korrupsioni prezantohet si viktimë, ndërsa drejtësia kritikohet.

Bardhi tha se nga provat e SPAK rezulton se Balluku ka abuzuar me 11 tenderat prej 1.1 miliardë euro, ndërsa theksoi se “kryeministri zgjodhi të sulmojë drejtësinë dhe të përdorë Parlamentin për ta penguar atë”.

Pjesë nga deklarata e Bardhit:

Në Shqipërinë e Edi Ramës po ndodh një përmbysje e madhe: korrupsioni paraqitet si viktimë, ndërsa drejtësia shpallet fajtore.

Dhe këtë përmbysje e pamë qartë në çështjen e Belinda Ballukut, të trajtuar nga avokati/peng i saj, kryeministri në detyrë Edi Rama.

Në vend që të përgjigjej për provat e SPAK-ut dhe abuzimet me 11 tenderat prej 1.1 miliardë euro, Kryeministri zgjodhi të sulmojë drejtësinë dhe të përdorë Parlamentin për ta penguar atë.

Objektivi kryesor i Edi Ramës ishte viktimizimi i Belinda Ballukut, qeverisë së tij dhe atij vetë, duke u përpjekur të diskreditojë prokurorin e çështjes dhe SPAK-un, si dhe të minimizojë rëndësinë e provës së përgjimeve.

A nuk është qesharak dhe i pabesueshëm një kryeministër që flet për linçim politik të partisë në pushtet nga i njëjti sistem, me të cilin mburrej se e kishte ngritur vetë për të shkuar edhe deri në zyrën e tij? Por Edi Rama ndryshe flet dhe ndryshe vepron.

Ai flet për pavarësi të drejtësisë, por voton kundër kërkesës së SPAK-ut për të lejuar arrestimin e bashkëpunëtores më të afërt të tij.

Kam parë me qindra komente në rrjete sociale, dje dhe sot. E kuptoj që shumë njerëz janë të zhgënjyer nga vendimi i Edi Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe aktet korruptive të qeverisë së tij.

Por për të gjithë të zhgënjyerit kam një mesazh: prej sot, shikojeni Edi Ramën ai që është në të vërtetë, një mbrojtës politik i korrupsionit, të cilit tani i ka rënë maska 10-vjeçare e arkitektit të reformës në drejtësi.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë se vendimi i Edi Ramës për t’u bërë avokat i korrupsionit nuk është marrë dje. Ky vendim nuk ka asnjë lidhje me ndonjë fakt juridik, sepse provat janë aty. Ky është një vendim politik i marrë që ditën e parë të ngritjes së akuzës. Është një vendim i paracaktuar, njësoj si tenderat për të cilat është marrë e pandehur dhe po hetohet Belinda Balluku.

Qytetarët meritojnë të dinë gjithashtu se, për herë të parë që nga krijimi i SPAK-ut, një kërkesë e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për hetimin e abuzimit me fondet publike në nivelet më të larta të pushtetit po refuzohet politikisht nga shumica parlamentare, jo mbi bazën e një analize juridike, por mbi bazën e një mbrojtjeje të hapur politike nga Kryeministri i vendit.

Zjarr Tv Ad