Maqedonia e Veriut shpreson se Bashkimi Evropian do e përmirësojë “gabimin historik” të kryer një muaj më parë kundër negociatave. Kreu i qeverisë maqedonase, Zoran Zaev flet edhe për sfidat e tjera që has vendi dhe zgjedhjet që e presin më 12 prill.
Maqedonia e Veriut nuk është shkurajuar nga mos’hapja e negociatave me Bashkimin Europian.
Kryeministri Zoran Zaev deklaroi në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” se liderët evropianë mund ta marrin vendimin pozitiv vitin e ardhshëm.
“Mbetemi me shpresë se këtë gabim do ta përmirësojnë, është një gabim historik. Të gjithë liderët europianë, përfshirë edhe presidentin francez Macron janë të mendimit se i kemi përmbushur obligimet, porse ende u duhet kohë,” deklaroi shefi i ekzekutivit.
Duke folur për sfidat që përballin vendin, Zaev pranoi nevojën e reformës në drejtësi dhe të një vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët.
Njësoj si me rastin e fqinjit lindor, Shqipërinë, për qeverinë maqedonase problem shfaqet edhe ikja e popullatës, veçanërisht e kuadrove të kualifikuar.
“Duhet t’i motivojmë pasi gjendja mund të përkeqësohet. Pagat tona për arsimin janë nën mesataren e rajonit, edhe në shëndetësi, dhe po nuk rritëm pagat mund të mbetemi pa mjekë, nuk do të ketë kush të na shërojë,” shprehet Zaevi.
Refuzimi i negociatave në tetor u shoqërua në Shkup me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Përpara garës së 12 prillit dhe 40 ditë nga formimi i kabinetit të ri teknik, kryeministri Zaev premton se zgjedhjet do të jenë të lira dhe demokratike.




