Berisha: Më 28 Nëntor, të bashkohemi në protestën më të fuqishme qytetare

Share

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje për mobilizim të demokratëve dhe vijimin e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha theksoi se protesta është një detyrim madhor i opozitës dhe se PD nuk duhet të tërhiqet nga përballja me qeverinë.

“Nuk mund të ketë kurrë paqe me diktaturën. Dhe Partia Demokratike duhet ta ketë të qartë se në kodin e saj të mbrojtjes së interesit të shqiptarëve, protesta mbetet, krahas vizionit të saj dhe organizimit, detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Berisha.

Berisha sulmoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama, të cilin e cilësoi si rrezik për ekzistencën kombëtare.

“Në kushtet e një rreziku ekzistencial të vërtetë, ne do të reagojmë në mënyrë të pandryshueshme me protesta sa më të fuqishme kundër këtij regjimi, i cili përdor dhjetëra dhe qindra milionë për të shuar zërin tonë, për të shuar zërin e popullit opozitar. Edi Rama është një rrezik real për ekzistencën kombëtare, për ekzistencën tonë si komb në Shqipëri. Por në qoftë se ne nuk jemi në mënyrë të vazhdueshme dhëmbë për dhëmbë me të, dhe kjo nënkupton edhe protestën, ne nuk vlejmë. Ne nuk i duhemi gjë!”, deklaroi ai.

Berisha theksoi se demokratët nuk mund të bëhen dekor i qeverisë, por duhet të vijojnë qëndresën politike.

“Absolutisht, ne nuk mund të bëhemi dekor i një regjimi, por luftëtarë të pamposhtur kundër tij”, tha kreu i opozitës.

Berisha ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 28 nëntorit, për ta shndërruar këtë festë kombëtare ditë kushtrimi.

“28 Nëntori është ditë feste, por është ditë kushtrimi. Shqiptarët, demokratet nga të katër anët e Shqipërisë të bashkohen me protestën më të fuqishme qytetare rinore për të nderuar flamurin kundër këtyre faqezinjve me 100 flamuj, që vetëm flamur kombëtar nuk kanë, që kanë llogaritë bankare dhe xhepat e tyre për flamuj.  Ndaj dhe duhet këto ditë që na ndajnë nga kjo datë e shënuar e historisë të bëjmë gjithçka për nderimin më të madh të flamurit duke i dhënë përgjigjet e merituara armikut të egër të flamurit dhe të qenies kombëtare, Padrinos dhe organizatës së tij kriminale”, tha kreu i PD.

Read more

Local News