Sali Berisha ka dalë këtë të martë në një konferencë për mediat, ku iu është drejtuar mbështetësve të tij me një thirrje për t’u bashkuar në protestë ditën që do të paraqitet në Kuvend kërkesa për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
“Ditën që do paraqitet kërkesa në parlament, që të gjithë para Parlamentit, për të mbrojtur kushtetutën, ligjin, dinjitetin kombëtar, për të mbrojtur shtetin ligjor”, tha ai.
Ai tha se Edi Rama duhet të rrëzohet, por këtë mund ta bëjnë vetëm qytetarët.
“Edi Rama asgjëson drejtësinë, askush nuk e mbështet atë në këtë rrugë, por askush nuk do të vijë ta heqë për leckash nga zyra e kryeministrit, por kjo është detyra jonë. Mos pranoni t’u mbyllen dyert e Europës nga një armik i shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë nevojitet të bashkohemi kundër këtij rreziku të jashtëzakonshme për të ardhmen tonë”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se nuk përjashtohet asnjë skenar opozitar ditën e seancës që do diskutohet heqja e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, aktualisht e pandehur, e pezulluar dhe shkarkuar nga detyra pas hetimeve të SPAK-GJKKO.
Ai deklaroi se shumë deputetë kanë shprehur dëshirën për akte sublime, ngujim dhe grevë urie nëse nuk hiqet imuniteti i Ballukut, por vuri theksin tek verdikti i sovranit.
“E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie. Dhe asgjë nuk përjashtohet. Por, por, gjithçka do të ndërmerret, ky hap, në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja kryesore në rendin e ditës, sovrani duhet të flasë sepse kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori”, tha ai.




