Greqia shpërndau të enjten rreth 400 trupa dhe avionë zjarrfikës për të shuar përfundimisht flakët që kanë shkrumbuar afro 900 hektarë me pisha në ishullin e Evias.
Autoritetet thanë se operacioni i nisur mëngjesin e së martës mund të finalizohet me sukses së shpejti pasi erërat janë dobësuar dhe shumica e zjarreve janë vënë nën kontroll.
Një vatër zjarri vazhdon të mbetet aktive në një faqe të rrëpirë mali në fshatin e Platanasë.
Por barrikadat në formë hendeku të ngritura aneqark zonës dhe ndërhyrja nga ajri me helikopterë kanë arritur ta pengojë përhapjen e flakëve.
Të mërkurën, kryeministri grek Qirjako Miqotaçis apeloi për një koordinim më të mirë me partnerët europianë.
Qirjako Miqotaçis: E dimë që zjarret do të jenë dhe kanë qenë pjesë e fenomeneve tona natyrore si vend. Por ndryshimet klimatike po kërcënojnë tërë Europën Jugore, ndaj na duhet një mekanizëm europian shpëtimi, më i koordinuar, për ndihmuar në incidentet si këto.
Përveç Greqisë, betejë me zjarret po zhvillojnë edhe forcat zjarrfikëse në juglindje të Francës.
Flakët e lokalizuara të mërkurën rreth 100 kilometra nga Tuluza kanë djegur deri tani mbi 900 hektarë pisha.
Autoritetet po punojnë për të përmbajtur përhapjen e flakëve që avancojnë për shkak të erërave të forta.
Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë të njohura, por mendohet se ndikim ka pasur moti i thatë që vazhdon prej javësh.




