
Merkato po shkon drejt mbylljes, ndërkohë që skuadrat pretendente për Mauro Icardin sa vijnë e shtohen. Pas Atleticos së Madridit, interes për sulmuesin argjentinas ka shfaqur skuadra tjetër e La Liga, Valencia.
Lajmi bëhet i ditur nga “La Gazzetta dello Sport” dhe “Sportitalia” që zbulon se portokallinjtë janë skuadra e fundit që paraqet një ofertë për Icardin. Sipas burimeve, formula që do të dërgojë Icardin te Valencia është ajo e huazimit me të drejtë blerje.
Gjithsesi, një marrëveshje e tillë është jashtëzakonisht e pamundur, me Icardin që ka pohuar se e ka zemrën të përqendruar te zikaltërit. Interes për Icardin ka shfaqur më parë dhe Paris Saint-Germain, Juventus, Napoli e Monaco, ndërkohë që argjentinasi po përgatitet të hedh në gjyq klubin milanez.
Sipas raporteve, Icardi pretendon se përplasja me Interin i ka kushtuar prishje të imazhit dhe nga ky gjyq pretendon të përfitojë rreth 1.5 milionë euro dëmshpërblim.



