Ministria e Shëndetësisë tha se i riu ka hyrë në rrugë tokësore me mjetin e tij përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit dhe më pas ai ka infektuar babain e tij.
Por gazetari jonë, Bepin Kolvataj, në një raportim nga Hani i Hotit tha se nga verifikimi i sistemit TIMS rezultonn se djali ka hyrë nga pika kufitare e Muriqanit.
Manastirliu: Dje janë konfirmuar dy rastet e para COVID-19 në Shqipëri, bëhet fjalë për dy qytetarë të moshave 54 dhe 28 vjeç banues në qytetin e Tiranës.Njëri është rast i importuar i cili ka udhëtuar nga Firence në Shqipëri në rrugë tokësore dhe ka hyrë përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit në 26 shkurt ndërkohë që babai është rast i konfirmuar si kontakt i ngushtë.
“Rezulton të jetë e kundërta nga çfarë ka deklaruar Ministria. Nga verifikimi i sistemit TIMS rezulton se qytetari ka hyrë nga pika kufitare e Muriqanit. Pikërisht djali që vinte nga Firence ka hyrë përmes kësaj pike, ndërsa babai mësohet se kishte dalë për ta pritur. Ata janë me orgjinë janë nga Puka por jetojnë në kryeqytet” raportoi gazetari i Ora News Bepin Kolvataj nga Hani i Hotit.
Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e të dielës (9 mars) nga laboratori i virologjisë në IShP.
Manastirliu: Është kontaktuar urgjenca kombëtare, 127. Sipas protokolleve u janë marrë monstrat djalit dhe babait, të cilët kanë pasur shenja klinike. Janë dërguar në laborator për tu analizuar ku kanë rezultuar pozitiv. Menjëherë pas daljes së rezultateve ekipi i epidemiologëve kanë kryer verifikimin, izolimin e kontakteve të ngushta përgjatë gjithë natës, ka marrë monstrat e kontakteve për analizë dhe tashmë kontaktet e ngushta janë izoluar. Dy qytetarët, babai dhe i biri po marrin shërbim pranë shërbimit Infektiv në QSUT.
Sipas Ministrisë, dy rastet e konfirmuara me COVID-19 janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv në Tiranë.
Ndërkohë strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve.
MSHMS përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t’i përgjigjen çdo rasti.
Gjithashtu MSHMS u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë rigorozisht rregullat e higjenës, sipas njoftimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Masat në Han të Hotit- Gazetari i Ora News Bepin Kolvataj tha se “nuk ka masa të shtuara. Ka vetëm matje të temperaturës dhe një pyetësor i shkurtër që bëhet për shtetasit që hyjnë. Të gjitha linjat që operojnë në rrugë tokësore kalojnë përmes pikave kufitare të Hanit të Hotit dhe Muriqanit”.




