Thursday, August 20, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina LAJME Erdogan shpall “non grata” 10 ambasadorë të shteteve perëndimore, kërkuan lirimin e...

Erdogan shpall “non grata” 10 ambasadorë të shteteve perëndimore, kërkuan lirimin e aktivistit

0
61

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi këtë të shtunë se ka urdhëruar Ministrinë e Jashtme të shpallë “persona non grata” (persona të padëshirueshëm) dhjetë ambasadorë nga shtetet perëndimore, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara, pasi ata kanë bërë thirrje për lirimin e filantropistit, Osman Kavala.

Kavala është në burg që prej vitit 2017, pasi akuzohet se ka financuar protestat mbarëkombëtare të vitit 2013 dhe për përfshirje në tentim grushtshtetin e vitit 2016. Ai i mohon të gjitha akuzat, shkruan REL.

Përmes një deklarate të përbashkët më 18 tetor, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës dhe Zelandës së Re kërkuan që sa më shpejt të zgjidhet çështja e Kavalas. Ata u thirrën në bisedë nga Ministria e Jashtme, që e quajti këtë deklaratë të përbashkët si të papërgjegjshme.

“Kam dhënë urdhrin e nevojshëm Ministrisë sonë të Jashtme dhe kam thënë atë që duhet bërë: Këta dhjetë ambasadorë duhet të shpallen ‘persona non grata’. Do ta zgjidhni menjëherë”, tha Erdogan gjatë një fjalimi në një tubim në Eskisehir, në veriperëndim të Turqisë.

Vitin e kaluar, Kavala u shpall i pafajshëm për akuzat lidhur me protestën, por vendimi u rrëzua këtë vit dhe u kombinua edhe me akuzat e çështjes tjetër, atë të tentim grushtshtetit.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rasti i tij është simbol i goditjes që Erdogan i bën disidencës.

Zjarr Tv Ad