




Avokati Jordan Daci thotë se ish-ministri i Mbrojtjes në qeverisjen Berisha, Fatmir Mediu, rrezikon deri në 8 vite burg për akuzat e SPAK për çështjen e Gërdecit. Sipas tij, akuza ndaj politikanit republikan bazohen në Kodin Penal Ushtarak.





“Kjo është një çështje që paraqet shumë probleme. Ka probleme parashkrimi, ka ngarkesë politike dhe njerëzore. Sistemi ynë i drejtësisë ndodhet në një situatë ku shumë gjëra po rishkruhen e po ribëhen dhe ky mund të jetë edhe fati i keq i zotit Mediu por nuk është i favorizuar.





Ministrin e Mbrojtjes e kemi drejtues të Forcave të Armatosura kur nuk ka luftë, por nuk kemi pasur ministra me background ushtarak. Mediu me këto akuza rrezikon shumë se akuza bazohet në kodin penal ushtarak jo civil.
Parashikohet minimumi 3 deri në 8 vite burg, ndërsa në civil do ishte 20 ditë deri në 7 vite. Gjykata duhet të ketë maturi. Duhet drejtësi por drejtësi në kurriz të të drejtave të një shtetasi nuk i shërben askujt. Drejtësi kur nuk jepet në kohën e duhur nuk ka asnjë vlerë, kërkon vetëm të bëjë një koka turku.





Nga ky gjykim sido të dalë shoqëria nuk përfiton asgjë. Është vendim pas 15 vitesh, efekti në shoqëri do jetë zero. Viktimat janë bërë burra e gra, ngjarja është harruar, gjithçka është rehabilituar”, u shpreh Jordan Daci.




