Drejtoi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, së bashku me një ekip të Guardia di Finanza-s, kanë monitoruar nga ajri me helikopter veriun e vendit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
“Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Dua të siguroj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që do të kenë mbështetjen time personale lidhur me luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe çdo lloj paligjshmërie tjetër në vendin tonë.
I përgëzoj dhe i falenderoj për të gjithë punën që ata bëjnë në terren, është punë jo e lehtë të gjurmosh dhe të lokalizosh çdo bimë kanabisi, të mbjellë në terrenet më të thyera të vendit tonë.
Ju siguroj që Policia e Shtetit është e vendosur, me tolerancë zero, kundër fenomenit apo problematikës së kultivimit të kanabisit dhe do të vazhdojmë siç e kemi nisur këtë vit, pak më herët nga vitet e kaluara, për të identifikuar çdo vend të përgatitur për kultivimin e kanabisit, për të shkatërruar e asgjesuar çdo bimë, që në fazën fillestare të saj, në mbjelljen në terren”, tha Gledis Nano.




