Juan Guaido u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të dalin përsëri në rrugët e Venezuelës të mërkurën, pas një dite përleshjesh të dhunshme të martën.
Presidenti Nicolás Maduro, të cilin kreu i opozitës po përpiqet ta largojë, mbetet sfidues përkundër protestave.
Në një fjalim televiziv ai i përshkroi përkrahësit e Guaidos si një “grup të vogël”, plani i të cilit kishte dështuar.
Ndërkohë, administrata amerikane pretendon se zoti Maduro ishte gati të udhëtojë për në Kubë për t’i shpëtuar trazirave.
“Ata kishin një aeroplan në pistë dhe ai ishte gati të largohej këtë mëngjes [të martën], sipas informacioneve. Rusët bënë që ai të qëndrojë”, tha sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo për CNN, pa ofruar dëshmi.
Zyrtarët e lartë amerikanë gjithashtu thanë që tre figura të shquara në qeverinë e Maduro kishte rënë dakord që Presidenti duhej të shkonte, por më vonë u kthye prapa.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara John Bolton tha se mes tyre ishte Sekretari i Mbrojtjes Vladimir Padrino, i cili ka konfirmuar mbështetjen e tij dhe u shfaq pranë Z. Maduro në fjalimin e tij televiziv.
I ulur pranë komandantëve ushtarakë, Maduro u zotua se do të dilte fitimtar përballë asaj që ai e quajti një përpjekje për grusht shteti të mbështetur nga imperializmi i SHBA.
Ai tha gjithashtu se ngjarjet e së martës “nuk do të mbeten të pandëshkuara”.
“Prokurorët do të nisin ndjekje penale për krimet e rënda që janë kryer kundër Kushtetutës, sundimit të ligjit dhe të drejtës për paqe”, tha ai në fjalimin e tij.
Ndërkohë, Z. Guaidó ka ripërsëritur thirrjen për venezuelianët që të dalin në rrugë për të përfunduar atë që ai ka thënë është “faza përfundimtare” e përpjekjes së tij për të rrëzuar Maduron.




