Ndryshimi i sistemit ka përplasur kokë më kokë dy opozitat. Rudina Hajdari nga opozita parlamentare akuzoi opozitën politike jashtë Kuvendit se po bllokon ndryshimin e sistemit.
Sipas Hajdarit, opozita politike e ka kundërshtuar hapjen e listave ndërsa PS ka deklaruar se është e hapur për ta parë.
Hajdari: Ky debat ka ardhur me 51 mijë firma dhe më shumë.Nëse shkojmë drejt debatit kemi kohë mjaftueshëm për të ndryshuar apo jo Kushtetutën kemi zgjidhje për të dy variantet por duhet vullneti politik. Të mos bllokojmë atë variant që fuqizon qytetarët për të zgjedhur drejtëpërdrejtë deputetët e tyre. Duhet të kemi një parlament cilësor, të dëgjohet edhe zëri i qytetarëve, jo vetëm i kryetarëve.
Në çdo parti, po të shikoni listat ka vetëm servila. Duan njerëz që mund ti menaxhojnë jo që kanë një mendim të pavarur. Ftoj partitë opozitare që duan ndryshim në këtë vend jo vetëm të bëjnë video dhe të vjedhin kauzat e të tjerëve, as të dalin në sheshe e ulërasin kot, por të mbështesin hapa konkrete që u japin të drejtë qytetarëve të zgjedhin deputetët e tyre në mënyrë të drejtëpëdrejtë.
Hajdari tha se mbetet e vendosur në këtë kauzë dhe nuk do të lëshojë pe në këtë drejtim.
Hajdari: Do ti qëndroj kësaj kauze deri në fund, nuk lëshoj asnjë cm.
Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri tha se për ndryshimin e sistemit duhet domosdoshmërisht konsensusi i të gjitha palëve.
Por Gjiknuri u ndal në një aspekt, kur tha se PS ka qenë për heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Gjiknuri: Për sistemin zgjedhor u paraqitën nga Hajdari disa opsione, PD nuk paraqiti propozim. Kërkuam mendim nga ekspertët nëse sistemet e propozuara prekin Kushtetutën dhe në rast se po si do të vazhdohet për adresimin. PS është e hapur për të diskutuar për sistemin. Qëndrimi jonë është që ky sistem nuk është i keq, por nëse do krijohej një komision edhe i reformës kushtetuese për çështje të sistemit zgjedhor do të dalim dhe ne me opsionet tona. Kjo çështje kërkon më shumë diskutime. PS ka qenë për heqje të koalicioneve parazgjedhore, mund të jetë një opsion. Nëse ka dakordësi edhe nga opozita jashtëparlamentare atëherë dhe ne mund të dalim me propozimet tona.




