Dy jetë të reja u shuan në një aksident fatal, ndërsa një tjetër vajzë mbeti e plagosur. Ky është bilanci I rëndë i një aksidenti që iu mori jetën dy motrave nga fshati Kopaçëz i Delvinës mbrëmjen e djeshme.
Ela Dhimaku 22 vjece ishte drejtuesja e mjetit tip Lancia që u përplas me një automjet tip Audi të drejtuar nga 23-vjecari Kevi Norra, ndërsa motra e saj Rezi Dhimaku 20 vjece ishte pasagjere.
Në mjet bashkë me dy motrat që morën plagë fatale nga përplasja udhëtonte edhe një vajzë tjetër. Antonela Zhupa 24 vjece rezulton e plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt Tiranës.
“Sot, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, shtetasi K. N., 23 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh. Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën drejtuesja e automjetit “Lancia”, shtetasja E. Dh., 22 vjeçe, së bashku me pasagjeren shtetasen R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa pasagjerja tjetër në këtë automjet, shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, ka mbetur e dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, njofton Policia.




