Roland Bejko ka reaguar lidhur me humbjen e opozitës në të pesta bashkitë, në zgjedhjet e djeshme lokale.
Bejko është ndalur te Tepelena, ku thotë se Gabriel Guma, djali që vendosi të garonte i pavarur për këtë bashki dhe mori mbështetjen e opozitës, e ka pyetur nëse duhet të kandidonte, sepse babai i tij i ndjerë kishte qenë mik me profesor Roland Bejkon.
“Si mik i babait të tij, të ndjerit Altin, kur më pyeti, e këshillova të mos kandidonte sepse rezultati ishte i paracaktuar. Hienat e vjetra, nëse do kishin qoftë edhe një shans të vetëm për të fituar, nuk do t’u binte ndërmend të kandidonin një djalë të ri e të pastër si Gabrieli, por do kandidonin vet për kreun e bashkisë Tepelenë. Por Gabi, vendosi ta provonte duke e parë si sfidë dhe përvojë personale”, shkruan Bejko.
Vetë ai, ka qenë për shumë vite një nga zyrtarët më të lartë të Partisë Demokratike në qarkun jugor, por pas përplasjeve mes demokratëve për lidershipi, ai mori krahun e Lulzim Bashës derisa u tërhoq përfundimisht.
“Gabrieli, është një djalë i realizuar, i talentuar, me zemër të madhe, i artë. Por këtë ambicje ia zbuluan qelbësirat, dhe duke parë se askush nga vet ata nuk e merrte përsipër, i mbushën mendjen djalit të kandidonte në një terren të minuar, e në një pazar të mbyllur më parë nga hienat që kanë marrë peng PD dhe po e vdesin përditë e më shumë duke i pirë edhe gjakun e fundit që i ka mbetur asaj”, shkruan Roland Bejko.
Gabriel Guma mori pak më shumë se 900 vota personale në Tepelenë, për të cilat sipas profesorit, është i nderuar sepse nuk mund të fitonte me njerëzit që Partia Demokratike i kishte dërguar për mbështetje.
Sipas Roland Bejkos, ata që ditën bënin foto me Gabrielin, në darkë bëjnë biznes me familjarët e kundërshtarit. Dhe akuzat e tij shkojnë për Tritan Shehun si drejtues politik të PD në Gjirokastër.
“Si mund të fitonte Gabrieli, dhe gjithë gabrielët e rinj plot ideale, e plot ëndrra që besojnë tek e djathta, kur ata që shkojnë me demek për t’i mbështetur në fushatë janë të ezauruar nga koha, e ndërsa në publik bëjnë foto nga takimet me Gabrielin, në darkë bëjnë biznes me familjarët e kundërshtarit të Gabrielit?!”, vijon ai.
Roland Bejko shkruan se Gabriel Guma meriton respekt për guximin që pati të kandidonte në një teren politik të tradhtuar.
“Të tillët janë haletë që kanë marrë peng PD dhe po tallin b…. me demokratët e gjorë duke u helmuar trurin me gënjeshtra armiqsh të brendshëm e të jashtëm, mjaftueshëm sa për të siguruar privilegje, para dhe pushtet për vete e familjet e tyre”, thekson Bejko.



