I nervozuar nga Xhafaj, Rama ultimatum deputetëve: Lini mandatin, pastaj bëni avokatin e Veliajt!

0
270

Edi Rama ka dërguar një mesazh me doza të forta kritike ne grupin Whatsapp të skuadrës së deputetëve të Tiranës.

Mesazhi i Ramës i disponuar nga burimet e TCH, kërkon qëndrim pa ekuivok të deputetëve të PS, lidhur më pavarësinë e drejtësisë, kryesisht SPAK-un.

Shkak për këtë mesazh shkruan Edi Rama, është bërë një intervistë e deputetit Etjen Xhafaj në një studio televizive, ku ka sulmuar SPAK-un për të mbrojtur Erion Veliajn.

“Jam pa fjalë! E paimagjinueshme se si një deputet i Partisë Socialiste mund të flasë si në kafene, si tifoz, duke bërë një avokati banale që për më tepër s’ndihmon askënd hiç fare, ndërkohë që s’ka asnjë lidhje me qëndrimin tonë parimor për paraburgimin pa gjyq të kryebashkiakut të kryeqytetit! A është i pafajshëm a i fajshëm Erioni apo kushdo tjetër, këtë s’ia ka ngarkuar askush as PS, as mua e as Etienit natyrisht, që ta thotë në mexhelis”.

Ata deputetë socialistë thotë Edi Rama që duan te merret me avokati publike, le ta lenë mandatin dhe le te thonë ç’të duan pastaj ne çdo cep te kënetës mediatike.

“Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un, mbetet e palëkundur dhe kritikat tona parimore të mundshme, nuk janë as me kohë e pa kohë, as pune e kujt t’i teket nga deputetët ose përfaqësuesit e tjerë të PS! Kështu që fokusohuni tek detyrat tuaja, ku nuk hyn gjëkundi muhabeti i kafenesë për drejtësinë”.

Rama i kërkon Elisa Spiropalit ta përcjellë këtë mesazh edhe tek grupi i deputetëve të qarqeve të tjera të vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Zjarr Tv Ad