Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka befasuar me një deklaratë të pazakontë në një intervistë për mediat, ku tha se e ka marrë malli për debatet që zhvillonte dikur në Kuvend me Arben Ahmetajn.
Shumë do të mendojnë se është shaka, por kështu pretendon vetë Tabaku, teksa komentonte situatën aktuale politike në vend.
“Ndërkohë që ishte si ishte Arben Ahmetaj, në çdo seancë ne bënim debat për ekonominë. Pak rëndësi ka që sot ekonomia ndodhet në këtë situatë prej qeverisjes, por e rëndësishme është që opozita do të jetë atje për të kërkuar llogari, për të bërë transparencë, por edhe për të bërë propozimet e saj. Unë besoj shumë edhe tek forca e fjalës, edhe tek forca e debatit, por edhe tek parlamenti si institucion”, u shpreh Tabaku.
Të dëgjosh një deputete të opozitës të flasë me një lloj nostalgjie për një ish-ministër të akuzuar për korrupsion, tani në arrati, është padyshim një rast i rrallë në politikën shqiptare.
Kjo deklaratë e Tabakut i jep më shumë zë fjalëve se ajo ka pasur një marrëveshje të fshehtë me Ahmetajn, dhe “kauzat” e saj publike për koncesionet, duket se qartësisht ishin orientim nga ish-zv. Kryeministri./voxnews.al




