Kleana Xhuveli ka marrë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës. Ajo ishte renditur e katërta në listën e mbyllur të këtij koalicioni.
Xhuveli është goca e tezes së kryetarit të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, me të cilin ka një lidhje të ngushtë familjare. Ajo është rritur në familjen e Lapajt.
26-vjeçarja ka qenë pjesë e fushatës së “Shqipëria Bëhet”, ku ka mbajtur role organizative.
Në një deklaratë për mediat pas marrjes së mandatit këtë të mërkurë, Xhuveli tha se kjo vendimmarrje buron nga rrethanat aktuale dhe dëshira për të mbështetur misionin e listave të hapura, që janë themeli i lëvizjes së tyre politike.
“Duke qenë se lëvizja jonë ka në themel garën me lista të hapura, zotohem se do ta përfaqësoj me dinjitet mandatin e 80 mijë shqiptarëve. Në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes tonë, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi,” deklaroi Kleana Xhuveli.




