Mueller kritikon konkluzionet kundër Trump

0
17

Konkluzionet që kryeprokurori William Barr i paraqiti Kongresit amerikan pak javë më parë në lidhje me ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kanë qenë të paqarta dhe janë nxjerrë jashtë kontekstit. Prokurori i çështjes, Robert Mueller, thotë se besimi i publikut te çështja është dëmtuar. Ndërkaq, demokratët thonë se do të hetojnë kryeprokurorin për anshmëri me presidentin Trump.

Prokurori special Robert Mueller ka kritikuar konkluzionet që i janë paraqitur Kongresit amerikan rreth ndikimit të qeverisë ruse në zgjedhjet e fundit presidenciale. Ish-drejtori i FBI-së i cili hetoi presidentin Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e ngushtë thotë se raporti i tij është nxjerrë jashtë kontekstit. Këto rezerva iu bënë të njohura prokurorit të përgjithshëm William Barr, i cili pak javë më parë përpiloi konkluzionet e hetimit.

Mueller: “Konkluzionet nuk kanë paraqitur si duhet kontekstin, natyrën dhe substancën e hetimeve tona, ndaj publiku me të drejtë është hutuar për disa aspekte kritike të hetimit. Kjo gjë ka dëmtuar besimin e publikut tek rezultati e hetimeve.”

Mueller përgjatë një hetimi 22 mujor zbuloi se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vendit me synimin për ta ndihmuar presidentin Trump të fitonte, porse ekipi elektoral i presidentit nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë.

Prokurori special kërkoi specifikisht që kreu i Shtëpisë së Bardhë të mos shkarkohej tërësisht nga përgjegjësia, por ky vullnet nuk u respektua nga kryeprokurori Barr.

Të martën, demokratët në Senatin amerikan kërkuan që Prokurori i Përgjithshëm të hetohet nëse ka vepruar apo jo me paanshmëri.

Ndërkaq, në fillim të javës dha dorëheqjen edhe zv.kryeprokurori Rod Rosenstein, personi i cili caktoi prokurorin Mueller të hetojë lidhjet me Rusinë.

Deri tani, nga hetimet janë akuzuar 34 individë, tetë janë dënuar penalisht, përfshirë edhe pesë bashkëpunëtorë të presidentit Trump.

 

Zjarr Tv Ad