Deputeti i PD-së Edi Paloka ka dalë në një deklaratë nga selia blu, ku ka njoftuar mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me emrat e dalë nga Kuvendi i 30 Prillit.
Sipas Palokës në mbledhjen e nesërme do të zgjidhet kreu i Këshillit Kombëtar, si dhe do të përcaktohet qëndrimi që PD do të mbajë në raport me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Me të njëjtën temë do të jetë dhe mbledhja e sotme e grupit parlamentar të PD-së, thirrur nga Enkelejd Alibeaj, i cili sipas Komisionit të Rithemelimit, nuk ka tagër drejtues në këtë forcë politike, sa kohë që u shkarkua nga posti i kreut të grupit në Kuvendin e 30 Prillit.
Edi Paloka: Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të PD-së do të jetë 6 Maj, ku do të përcaktohet qëndrimi politik i PD-së në lidhje me qëndrimin që do të mbahet për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Për shkak të urgjencës, mbledhja do të mbahet nesër në 15:00. Këshilli Kombëtar është i vetmi organ që mund të shprehë vullnetin për çështje politike si ajo e presidentit. Po ashtu në mbledhjen e parë do të zgjidhet edhe kreu i Këshillit Kombëtar.




