‘Oj Kosovo, Kosovo’, incidenti me këngën nacionaliste serbe në Bruksel, Marta Kos: Nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian

Share

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ka shprehur keqardhjen për muzikën e këngës nacionaliste serbe e cila u intepretua në koncertin e organizuar në prag të “Forumit të zgjerimit” në Bruksel.

Kos ka deklaruar se kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian.

“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, ka thënë Kos, duke shtuar se janë të vetëdijshëm për sakrificat e njerëzve në atë pjesë në të kaluarën.

Kos pastaj foli për nevojën për pajtim, por pa harruar të kaluarën.

“Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, tha Kos.

Çfarë dihet për këngën?

Kënga “Sa Kosova zora sviće” – në shqip “Nga Kosova zbardh agimi” – e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb, Lubomir Manasijeviç.

Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Večernje novosti”, kënga u frymëzua nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.

Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës.

Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” – “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.

E përshkruar si patriotike në mediat serbe, kënga përmban kështu edhe mesazhe nacionaliste që kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova.

Ajo u krijua në kohën e ngritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit.

Read more

Local News