Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar fitorja e Rusisë në luftën kundër Ukrainës do të ishte e keqe për të gjithë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Ai u shpreh se fitorja e Rusisë do të dërgonte një mesazh në të gjithë botën se liderët autoritarë mund t’i arrijnë qëllimet nëpërmjet forcës.
Duke komentuar situatën në Ukrainë, Stoltenberg theksoi për ‘Politiko’ se “sukseset e Kievit në fushën e betejës nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e NATO-s”.
Ai është i bindur se Uashingtoni do të vazhdojë të dërgojë ndihma ushtarake dhe financiare në Kiev.
Stoltenberg nënvizoi më tej se fitorja e Putinit në Ukrainë do të ishte një fatkeqësi edhe për ukrainasit.
Pentagoni planifikon t’i dërgojë Ukrainës një paketë të re armësh dhe ndihme të tjera me vlerë 275 milionë dollarë, thanë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, raportoi AP.
Uashingtoni i ka dorëzuar Ukrainës rreth 18 miliardë dollarë armë dhe pajisje të tjera që nga fillimi i luftës me Rusinë më 24 shkurt.




