Partia Demokratike vijoi sërish sot denoncimet lidhur me projektin e Unazës së Madhe, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku dhe zëdhënëses Ina Zhupa.
Deputetja demokrate tha se skandali i projektit rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe përfshin jo vetëm kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por edhe ministrin e Financave Arben Ahmetaj dhe se të dy këta i bashkon mashtrimi “në mënyrë të pacipë” se nuk kanë lidhje me projektin.
Ajo tha se i pari, Erion Veliaj mashtroi, kur deklaroi se projekti nuk ekziston dhe se nuk ka leje ndërtimi për të.
“Ne kemi paraqitur dokumentet zyrtare se projekti 60 milionë euro i trafikantit ndërkombëtar të drogës e ka kaluar fazën e parë të miratimit për leje ndërtimi. Tani leja është vetëm një formalitet. Erion Veliaj është përgjegjës me firmën e tij për ndryshimin e planit urbanistik të Tiranës. Sipas planit të 2013-ës, lumi Lanë zinte një sipërfaqe të konsiderueshme të tokës, ku Bego ka planifikuar të ndërtojë. Por plani u ndryshua në 2017-ën, pasi Bego kishte lidhur kontratë për ndërtimin e projektit 60 milionë euro”, u shpreh Tabaku.
Në vijim tha se me firmën e Erion Veliajt dhe të Edi Ramës, plani ndryshoi dhe lumi Lanë u zhvendos duke mos prekur asnjë centimetër nga toka ku do të ndërtojë trafikanti i drogës, miku i Taulant Ballës.
Ndër të tjera nënvizoi se gjatë gjithë këtyre ditëve, Veliaj që flet për gjithçka, nuk u ka shpjeguar shqiptarëve pse e ndryshoi projektin e Lanës për llogari të projektit 60 milionë euro të Edmond Begos.
Ajo pyeti se kush fshihet pas trafikantit ndërkombëtar të drogës, i cili ka deklaruar publikisht se nuk disponon 60 milionë euro dhe se këtyre pyetjeve duhet t’u japë përgjigje edhe ministri i Financave Arben Ahmetaj, duke e cilësuar si personin e dytë kyç në këtë aferë.
“Arben Ahmetaj, mashtroi qytetarët, kur tha se ministria e drejtuar prej tij nuk ka patur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës, ku i dënuari me 21 vjet burg për trafik droge do të ndërtojë projektin rezidencial 60 milionë euro. Ndryshe nga sa mashtron Arben Ahmetaj, dokumentet zyrtare provojnë se shitja është kryer për llogari të mikut trafikant droge të Taulant Ballës”, tha ndër të tjera Tabaku.
Nga ana e saj zëdhënësja Ina Zhupa denoncoi se afera e projektit 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe me ndërtues trafikantin e drogës Edmond Bego, e ka pikënisjen tek ministria e Arben Ahmetajt.
Sipas saj, përveç përmbylljes në një kohë rekord të privatizimit dhe shitjes së ish serave pranë Unazës së Madhe, ministria e Arben Ahmetajt ka patur marrëdhënie direkte financiare me Edmond Begon për këtë pronë.
Ajo publikoi disa dokumente zyrtare që sipas saj nxjerrin mashtrues ministrin e Financave dhe përgënjeshtrojnë deklaratën e tij se nuk e ka kryer privatizimin dhe shitjen në shërbim të Mond Begos dhe se nuk ka asnjë fakt që e lidhin atë me procedurat e privatizimit.
“Faktet ndodhen në dosjen e privatizimit. Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016. Pagesat janë bërë nga kompania Inerte Ekspres, në pronësi 100 për qind të Edmond Begos. Faturat bankare që kanë dalë në ekran janë dokumenti zyrtar që provojnë mashtrimin e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. 4 pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat, njëra në 13 nëntor 2015, me vlerë 121 milionë lekë. 3 të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, më 11 Mars 2016”, deklaroi Zhupa.
Sipas saj, vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish Serat, pranë Unazës së madhe dhe se me pagesën e 1.5 milionë eurove për Ministrinë e Arben Ahmetajt nga Edmond Bego, të gjithë e dinë si vijoi historia:
-Plani Urbanistik i Tiranës u ndryshua me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt,
-Projekti për Lumin e Lanës u ndryshua që të mos prekë tokën ku do të ndërtojë trafikanti i drogës
-Bashkia e Tiranës ka miratuar fazën e parë të miratimit për lejen e ndërtimit.
Zhupa e mbylli fjalën e saj duke thënë se projekti rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe dhe projekti korruptiv 40 milionë euro për zgjerimin e Unazës së Madhe janë modeli më i qartë se nën drejtimin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Tirana është shndërruar në lavatriçen më të madhe në Ballkan për pastrimin e parave të pista.




