“Pesë vjet pa Drini Dobin” – Reagimi prekës i Ismet Drishtit në përvjetorin e ndarjes nga jeta të mjekut humanist

0
0

Sot shënohen pesë vjet nga ndarja nga jeta e neurologut të njohur Drini Dobi, një prej mjekëve më të vlerësuar për përkushtimin dhe humanizmin e tij. Me këtë rast, regjisori i njohur Ismet Drishti ka bërë një reagim të ndjerë, ku sjell kujtime personale nga takimet e para me Drinin, miqësinë e tyre dhe ndihmën e pakursyer që mjeku u jepte të gjithë atyre që kishin nevojë.

Më poshtë, reagimi i plotë i regjisorit Ismet Drishti:

“Sot 5 vjet pa Drini Dobin.
Ishte pranvera e vitit 1998 kur u njoha me doktor Drini Dobin.
Zakonisht me mjekët njihemi ndër ditët e vështira të jetës kur vetë ne ose ndonjë i afërmi ynë ka nevojë për kujdes shëndetësor.
Kisha problem të rëndë me një njeri të familjes në neurokirurgji. Kurrë nuk mund ta harroj përkushtimin, kujdesin e gatishmërinë e mjekëve të atij spitali. Profesor Mentor Petrela dhe profesore Jera Kruja përzgjidhnin me skrupulozitet çdo mjek që donte të specializohej në neurologji dhe neurokirurgji.
Mbase kjo kishte bërë që stafi aty të ishte aq njerëzor sa të të vinte në siklet.
Një ndër ta ishte i miri e gojëmbli Drini.

Mënyra si të qëndronin pranë e përpiqeshin të të hiqnin pikëllimin si me dorë të ishte pomadë për shpirtin.
Zoti e puna e atij stafi mjekësh bënë që familjari im të shpëtonte.
U njohëm. U bëmë miq.

Më pas nëna ime e ndjerë që kalonte insult pas insulti cerebral e unë që kaloja netë të tëra në ambientet e neurologjisë, për vite me radhë.
Jetën na e ka Zoti në dorë.
Kujdesin dhe fjalën që të gjente shpirtin, mjekët, Drini!
Gjithmonë i papërtuar. I gjindshëm në çdo orë të ditës e të natës.

Më pas ndër vite të afërm, të njohur, familjarë shumë e shumë që më kërkonin t’i ndihmoja dhe përherë aty Drini. Orar e pa orar, me atë buzëqeshje që ishte pjesë e tij dhe me ato fjalë që ishin melhem.
Dëgjoj njerëz që ankohen për mjekët. Nuk dyshoj te fjalët e asnjërit.
Unë flas për eksperiencat e mia.

Më pas erdhi e flamosura pandemi që na rrëmbeu secilit nga ne një pjesë të shpirtit.
Ashtu, në krye të detyrës, pranë pacientëve, ai virus do të merrte nga shpirti i familjes së tij edhe atë: Drinin!
Atje, në spital, tek njerëzit, tek pacientët, që ishin pjesë e jetës së tij.

Njerëzit si Drini janë heronjtë e heshtur.
E unë sot, në këtë 5-vjetor të largimit të tij, dua ta kujtoj ashtu: të qeshur, të papërtueshëm, duke m’u përgjigjur:
‘Hë Ismet, çfarë halli ke…’

Zjarr Tv Ad