Shtatë efektivë policie me detyrë ndihmës/specialistit për Rendin, në Komisariatin e Policisë Krujë, në DVP Durrës janë pezulluar nga detyra për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” Pezullimi i tyre u bë në kuadër të operacionit të koduar “Abuzuesit e detyrës 2”.
“Ata dyshohet se duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, informoi ministria e Brendshme.
Fshehen dhe manipuluan ngjarjet
“Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike” thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
Pezullohen
Gjykata e Krujës caktoi masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për:
– Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme;
– S.D., Ndihmës/specialist për Rendin;
– M.C., Ndihmës/specialist për Rendin;
– N.S., Ndihmës/specialist për Rendin;
– K.D., Ndihmës/specialist për Rendin;
– D.S., Ndihmës/specialist për Rendin;
– F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.
Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.




