Shkarkimi i Ilir Prodës, i shpjeguar publikisht me hedhjen e disa fishekzjarreve drejt ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha nga protestuesit demokratë e kalon rrjedhën e logjikës në shina të çuditshme. Nëse vërtet mjaftonte një incident si ky për ta rrëzuar nga karrigia Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, atëherë Proda, logjikisht, nuk i paska merituar akuzat e rënda që i janë hedhur mbi shpinë për një marrëdhënie të privilegjuar me Ramën, për shërbimin ndaj krimit, apo për mburojën që i ofronte njerëzve të shpallur në kërkim nga SPAK.
Me pak fjalë, ose je nyje e pazëvendësueshme e krimit, ose je thjesht një polic që ikën nga puna me një njoftim, në gabimin e parë që bën.
Pikërisht për këtë, episodi me artistët tek Art Explora ngjan më shumë si një pretekst i gatshëm, i cili i dha Ramës justifikimin perfekt për të bërë atë që, me shumë gjasë, ishte vendosur më herët, larg kamerave.
Të nesërmen, pasi e shpërndau lajmin e shkarkimit, Rama shkoi vetë te vila e ish diktatorit për t’u kërkuar falje artistëve dhe për të lënë të kuptohet se ngjarja e zonës së ish-bllokut paska qenë shqetësimi i tij personal gjatë natës. Një lëvizje simbolike, e shitur si ndjeshmëri për artistët, por që jepte dy mesazhe, së pari për të njollosur opozitën dhe së dyti për të justifikuar vendimin e marrë tashmë, atë të sakrifikimit të kryepolicit Ilir Proda nga detyra.
“Nuk është padija, është marrëzia, është ligësia, është verbëria, ështënjë kompleks gjërash dhe mbi të gjitha është urrejtja, një turp i pashoq që nxin Shqipërinë, që nanxin të gjithëve pavarësisht se ata që e bënë janë katran i Shqipërisë dhe janë fatmirisht njëgrusht njerëzish” u shpreh Rama duke fajësuar opozitën për atë që ndodhi.
Opozita me 2 qëndrime për largimin e Ilir Prodës
Edhe brenda opozitës, rënia e Prodës nuk u prit me një ndjesi të vetme. Hutimi në këtë rast është i kuptueshëm, sepse pyetja opozitarëve u vjen natyrshëm: Si iku kaq shpejt një polic që deri dje e kishim akuzuar për shërbimet e pazëvendësueshme që i bënte kryeministrit në lidhje me bandat? Vërtet mjaftonte një xhiro protestuesish te Drejtoria e Policisë për t’i prerë fijen një prej posteve më të forta të shtetit?
Disa thonë po. Flamur Noka, Bardh Spahia, Gazment Bardhi, Klevis Balliu e të tjerë duken të bindur se Proda u largua nga presioni i protestës, se Edi Rama u detyrua ta shkarkojë për hir të revoltës, duke e paraqitur atë si një trofe të fitores opozitare.
Por Sali Berisha ruajti një variant tjetër të ngjarjes më pak entuziast, që e artikuloi të shtunën, madje duke u distancuar nga sulmi me fishekzjarre ndaj vilës ku ishin artistët. Ai u shpreh se “agjentë të infiltruar u thanë protestuesve se aty ishte Edi Rama, dhe ndaj ata “ju kthyen””.
“Ca njerëz me kostume të murrme, agjentë të infiltruar të policisë, u thonë protestuesve se këtu banon Rama, dhe ata ju kthyen. Ato fishekzjarrë që u hodhën aty ishin kundër Ramës, në fakt Rama nuk banonte aty se e sqarove, banonte te vila e Mehmet Shehut”, tha ai.
Ky distancim, bashkë me faktin që Berisha nuk e trajtoi shkarkimin si fitore të protestës, i shton dyshimet se sulmi ndaj ish-vilës së diktatorit i duhej Ramës për largimin e Prodës, sepse në realitet, ky lidhet me zhvillime të tjera, më pak spektakolare, por shumë më të rënda në peshë.
Disa nga dështimet e Ilir Prodës në detyrë
Ilir Proda u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në tetor 2024, duke zëvendësuar Muhamet Rrumbullakun. Paraardhësi i tij shkarkua menjëherë dhe pa shpjegime të plota me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Pas largimit të Rrumbullakut, u përfol se arsyeja ishte kapja e 3 milion eurove para “cash” në një operacion në Shkozet, kur forcat speciale shkuan të arrestojnë Fatmir Troplinin, i njohur si Miri i Pojës.
Shuma e parave i përkiste grupit që disa muaj më pas do të ndihmonte Partinë Socialiste në fushatën e zgjedhjeve, ndaj nuk kaluan as gjashtë muaj dhe Rrumbullaku u zëvendësua me Ilir Prodën.
Por çfarë ndodhi nën drejtimin e Prodës? Grupi i Pojës në Shkozet vërtet ndihmoi Partinë Socialiste në fushatën zgjedhore. Përgjatë gjithë kohës opozita akuzonte eksponentë të krimit se po ndihmonin PS për rezultatin e 11 Majit.
Por në 23 Maj 2025, sapo zgjedhjet kishin mbaruar policia dështoi në arrestimin e Elvis Doçit, të njohur si Visi i Pojës, kur autoritetet italiane sollën dosjen për trafik droge të këtij grupi në Itali.
Gjatë operacionit pati disa të arrestuar, por Elvis Doçi, emri kryesor që lakohej për trafikun e drogës arriti t’i shpëtojë policisë.
Para se të ngjitej në krye të policisë, Proda kishte punuar në Elbasan si Drejtor i Policisë së këtij qytetit.
Në nëntor 2024, një muaj pas emërimit të tij në detyrë, SPAK nxori urdhër arrestet për organizatën kriminale të Suel Çelës, i cili po ashtu arriti t’i shpëtojë arrestimit, ndërsa një pjesë e bashkëpunëtorëve ranë në pranga.
Banda, sipas SPAK, synonte kontroll territori në Shqipërinë e Mesme dhe kishte depërtuar në drejtësi, polici dhe media për të favorizuar anëtarët e saj, për të rënduar kundërshtarët dhe për të goditur deri në vrasje grupet rivale të fisit Çopja.
Suel Çela mbetet në kërkim, ndërkohë opozita akuzon Ilir Prodën se ruan komunikim të vazhdueshëm me të.
Në dhjetor 2025, pasi SPAK siguroi në gjykatë disa urdhër-arreste, u arratis edhe Ergys Agasi, biznesmen i afërt me kryeministrin dhe një ndër përfituesit kryesorë të tenderave të AKSHI t.
Agasi u arratis bashkë me Ermal Beqirin, ortakun e tij në biznes. SPAK i akuzon biznesmenët jo vetëm për abuzime me tenderat, por edhe si persona që kishin organizuar pengmarrjen e Gerond Meçes, biznesmen tjetër rival në tenderat e AKSHI t. Një tjetër episod ku pyetja nuk është vetëm kush iku, por si iku, dhe çfarë garancish duhen që të ikësh.
Në dosjen e AKSHI-t është akuzuar edhe ish-zv.drejtori i policisë së Tiranës Erjon Ismaili për presione që i bënte biznesmenit Gerond Meçe para se ky të merrej peng nga bandat.
Thyerja e besimit të SPAK tek policia
Për aksionet e dekonspiruara nga kupola e policisë, prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH kanë shfaqur dyshime të vazhdueshme dhe nuk i kanë fshehur rezervat. Goditja më e rëndë që SPAK i ka dhënë kupolës së policisë ishte ajo e ish shefit të operacionales Oltion Bistri, i akuzuar për lidhje me bandat e Shkodrës.
Në prill 2022, Altin Dumani shprehej, “Një pakicë e efektivëve të policisë është e inkriminuar. Kemi evidentuar lidhje të drejtuesve të policisë me krimin, është ulëritëse kur drejtues të policisë janë pjesë e veprimtarisë së grupeve kriminale”.
Edhe Klodian Braho para se të merrte detyrën në krye të SPAK propozoi krijimin e një njësie të veçantë përgjimesh në ambiente publike dhe private, si edhe një njësi taktike për ekzekutimin e masave të sigurisë, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe garantimin e pavarësisë institucionale.
“Në bashkëpunim me kreun e BKH së duhet të krijohet një njësi e veçantë, që të jetë në gjendje të realizojë veprime operacionale të përgjimit në ambiente publike dhe private”, tha Braho, në përpjekje për ta mënjanuar policinë nga puna e SPAK.
Të gjitha këto e bëjnë Ilir Prodën një nyje të rëndësishme, që prek interesat politike dhe garanton një ekuilibër më të gjerë ku shteti, krimi dhe pushteti shpesh i duhen njëri tjetrit. Qëndrimi i tij në detyrë deri dje ka bashkërenduar interesa delikatë, që nisin në selitë e partive dhe mbarojnë në ato zona, ku policisë së shtetit nuk i lejohet të depërtojë.
Prandaj disa fishekzjarre, të hedhura drejt një fondacioni artistik, më shumë se arsye për shkarkimin e Ilir Prodës, duken si një shkop i vogël që përdoret për të lëvizur një gur të madh. Prandaj, pikëpyetjet për largimin e tij nga detyra në këtë moment janë krejt normale, por ashtu si shumë ngjarje të tjera ku përzihen politika dhe krimi, përgjigjet vonojnë, por nuk harrojnë./Lapsi.al




