Borussia Dormund hap krahun në Bundesligën gjermane. Verdhezinjtë kanë hequr dorë përfundimisht nga gara për titull, teksa kur kanë mbetur edhe 3 takime numërojnë 1 pikë më pak se Bayern Munich.
Të besuarit e Favre u mposhtën 4-2 në javën e 31-të Bundesligës nga Schalke 04. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, Dortmund duket se nuk e ka përballuar garën e fortë për titull, duke lëshuar terren në momentet finale.
Ishte Mario Gotze që zhbllokoi shifrat pas 14 minutash lojë. Reagimi i rivalëve të “Ruherit” ishte i menjëhershëm, me Caligiuri që vendosi baraspeshën momentale, ndërsa Sane e dërgoi Schalke në epërsi drejt dhomave të zhveshjeve.
Me rikthimin në fushë, Reus e Wolf ia bënë akoma më të vështirë misionin verdhezinjve, me dyshen që e la skuadrën me 9 futbollistë në fushën e blertë. Me forca të minimizuara, Dortmund pësoi edhe 2 gola të tjerë, ndërsa rrjeta e Witsel shërbeu vetëm për statistikë.
Në takimet tjera, Hannover mposhti 1-0 Mainz, për të mbajtur gjallë shpresat për një qëndrim në elitën e futbollit gjerman. Ndërkohë, Leipzig siguroi biletën për në UEFA Champions League sezonin e ardhshëm, pas fitores 2-1 ndaj Freiburg.
Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga fundi, Red Bull mban vendin e 3-të me 64 pikë, 10 më shumë se Eintracht Frankfurt i vendit të katërt, që barazoi 0-0 ndaj Hertha Berlin. Fitore komode 4-1 arriti dhe Dusseldorf që nxori jashtë Europe skuadrën e Werder Bremen.




